Fjalë Kyçe

Babai 16-vjeç nga ShBA-ja akuzohet për vrasje të së bijës me dy plumba në kokë pak ditë pas lindjes

Babai 16-vjeç nga ShBA-ja akuzohet për vrasje të së bijës me dy plumba në kokë pak ditë pas lindjes

Një baba adoleshent nga Wisconsini i Shteteve të Bashkuara është akuzuar për vrasje pasi dyshohet se e ka vendosur të bijën e porsalindur në një pemë dhe e ka qëlluar me armë dy herë në kokë. E dashura e tij e kishte lindur foshnjën në banjë.

Logan Kruckenberg-Anderson u akuzua me vrasje të qëllimshme të shkallës së parë për shkak të vrasjes së vajzës së tij, të quajtur Harper, në fshatin Albany javën e kaluar.

Vrasësi i dyshuar, i cili nga autoritetet po trajtohet si person i rritur, raportohet se u ka thënë autoriteteve se e ka lanë të bijën për të vdekur në borë në një zonë pyjore pasi çifti i ri vlerësoi se nuk ka mundësi të kujdesej për foshnjën.

Megjithatë, policia tha se i dyshuari në të vërtetë ka pranuar se e ka qëlluar me armë dy herë në kokë të bijën dhe se është përpjekur që ta fshehë kufomën, shkruan Daily Mail, transmeton Gazeta Express.

Sipas dokumenteve të gjykatës, nëna e vajzës e lindi atë në banjë në shtëpinë e saj në Albany më 5 janar. Katër ditë më vonë, një burrë e lajmëroi policinë se vajza e tij adoleshente ka lindur, por se i dyshuari Anderson e ka marrë foshnjën dhe nuk e kanë parë më.

Nëna e foshnjës, identiteti i së cilës nuk është publikuar, u ka thënë autoriteteve se ajo dhe i dashuri kishin vendosur që nuk mund ta mbajnë foshnjën dhe se e kishin bërë një plan për ta dërguar atë te një mik, ndërsa miku do ta dërgonte më vonë në një agjenci për adoptim.

Sidoqoftë, autoritetet thanë se babai i foshnjës e kishte vendosur atë në një çantë shpine dhe e kishte dërguar në një zonë të skajshme malore. Ai akuzohet se e ka vendosur të bijën në një dru të rrëzuar e të mbuluar me borë. Më vonë, adoleshenti pranoi se e ka qëlluar dy herë me armë në kokë vajzën e vogël.

Sipas rezultateve të autopsisë, vogëlushja ka qenë e gjallë kur është qëlluar me armë. Sipas ligjeve në Wisconsin, secili person mbi moshën 10-vjeçare mund të akuzohet si i rritur, kur bëhet fjalë për vrasje të qëllimshme të shkallës së parë. Nëse shpallet fajtor, Anderson mund të dënohet me burgim të përjetshëm.