Fjalë Kyçe

Bahtiri thotë se të gjithë po e përkrahin peticionin për bashkimin e Mitrovicës, ka disa fjalë për kryeministrin Haradinaj

Bahtiri thotë se të gjithë po e përkrahin peticionin për bashkimin e Mitrovicës, ka disa fjalë për kryeministrin Haradinaj

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri pas dorëzimit të peticionit për bashkimin e Mitrovicës tek presidenti Hashim Thaçi është deklaruar për media duke thënë se ka kërkuar nga presidenti që ky i fundit të merr një iniciativë dhe këtë peticion ta dërgon në Kuvend dhe të merret një vendim sa më i shpejtë.

“Ne e dorëzuam peticionin të presidenti dhe kërkuam që të merr një iniciativë dhe këtë peticion ta dërgon në Kuvend dhe po presim që vendimi I cili do të merret për Mitrovicën të jetë sa më i shpejtë. Ne qytetarët jemi bukur shumë të zhgënjyer me proceset e të cilat kanë kaluar mjaftë gjatë. Qyteti i Mitrovicës është ndarë padrejtësisht dhe qytetarët e saj po vuajnë”, ka thënë Bahtiri, shkruan Gazeta Alo.

Sipas Bahtirit, veriu po udhëhiqet nga strukturat paralele dhe kjo situatë sipas tij duhet të ndryshojë.

“Ne kërkojmë që pushtetit lokal t’i kthehet statusi i mëparshëm sepse veriun e udhëheqin strukturat paralele. Ne kërkojmë që sa më parë kjo të dërgohet në Kuvend. Mjaft më me këto përplasje, por të bëhemi bashkë për të mirën e qytetarëve”, ka thënë ai.

Ka deklaruar se ky peticion po përkrahet nga të gjithë liderët e po ashtu edhe presidenti, dhe se përjashtim këtu bën vetëm kryeministri Haradinaj.

“Presidenti e ka përkrah këtë iniciativë me përjashtim të kryeministrit po ashtu është përkrah edhe nga të gjithë liderët”, ka pohuar ai.

Ndërsa, i pyetur për atë se kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka thënë se kjo iniciativë nuk duhet të merret seriozisht, Bahtiri ka thënë se Mitrovica është e bashkuar dhe se për këtë nuk ka dilemë, duke shtuar se nëse kryeministri Haradinaj vazhdon me deklarata të tilla do të detyrohet të ndërmerr forma të tjera.

“Unë po ja bëj me dije edhe kryeministri edhe MAPL-së se Mitrovica është e bashkuar dhe për këtë nuk ka asnjë dilemë. Kryeministri ta merr me seriozitet këtë dhe mos të më detyrojnë me shku më tutje dhe le të shkojë në mënyrë ligjore e procedurale”, ka thënë ai.

Ndërsa, se cilat do të jenë format e tjera Bahtiri ka thënë se do të bisedojë me qytetarët dhe çfarëdo që vendosin ata do të vazhdojë më tutje.

“Çdo herë unë marrë vendim me qytetarët dhe unë do t’i pyes qytetarët se çka më tutje dhe pastaj të shohim se cila është përgjigja e tyre dhe në bazë të asaj përgjigje ne do të marrim vendim”, ka deklaruar Bahtiri.

Bahtiri, ka paralajmëruar që këtë peticion në ditët në vijim do ta dorëzon edhe tek të gjithë grupet parlamentare./Gazeta Alo/