Fjalë Kyçe

Banorët ankohen për mbylljen e fabrikës ‘Rugova’

Banorët ankohen për mbylljen e fabrikës ‘Rugova’

Që nga e hëna, fabrika e djathit “Rugove” në Drelaj të Pejës, po qëndron e mbyllur. Inspektorati komunal e mbylli fabrikën, pasi nuk posedonte impiantin për trajtimin e mbetjeve nga prodhimi i djathit, e për rrjedhojë, ato po hidheshin në Lumbardh, raporton KTV.

Por, banorët këtu nuk janë të pajtimit me mënyrën se si reagoi Komuna e Pejës, pasi, sipas tyre, fabrika ka kohë që funksion pa impiant.

Ata thonë se zyrtarët komunalë, në këtë rast, është dashur të mendojnë edhe për punëtorët dhe fermerët, të cilët po pësojnë nga mbyllja e fabrikës.

Ministria e Mjedisit, përmes një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se Inspektorati komunal ka vepruar bazuar në nenin 60 të Ligjit për mbrojtjen e ujërave të Kosovës, sipas të cilit nuk lejohet shkarkimi i ujërave të patrajtuara në trupin ujor dhe rrjetin e kanalizimit.

Komuna është arsyetuar se nuk ka pasur ndonjë ankesë deri më tash, kur është pyetur se pse nuk u ndërmor ndonjë veprim më herët.

Derisa përfaqësues të fabrikës “Rugove”, nuk kanë pranuar të flasin gjatë ditës për televizionin.