Barcelona e trajnerit Hansi Flick po tregohet një makineri e golit.
“Blaugrana” e bënë një paraqitje të jashtëzakonshme mbrëmë duke shënuar shtatë herë ndaj Valencias në “Estadi Olimpic”.
Dhe, gjiganti katalunas kështu e preku shifrën jubilare të 100 golave pas vetëm 32 ndeshjesh të zhvilluara, njofton faqja zyrtare e Barcelonës, përcjell “Gazeta Express”.
Kjo nënkupton se Barça e ka një mesatare impresionuese në sezonin 2024/25 prej 3.16 golash për ndeshje.
101 gola në 32 ndeshje në të gjitha garat është statistika e dytë më e mirë e nisjes së sezonit në histori të Barcelonës.
Vetëm ekipi i Helenio Herreras e kishte arritur këtë shifër për një periudhë më të shkurtër, respektivisht për 31 ndeshje në vitin 1950.
Trajneri Flick e arriti këtë shifër më shpejtë se ish-trajnerët e Barçës si Luis Enrique (iu deshën 34 ndeshje), Tito Vilanova (34 ndeshje), Domènec Balmanya (36 ndeshje), Ladislao Kubala (36 ndeshje) dhe Josep Guardiola (37 ndeshje).
Natyrisht, këto statistika s’do të vlenin shumë nëse Barça nuk fiton trofe në fund të sezonit.