“Bella Ciao”, kënga e rezistencës, lirisë dhe simbolit të luftës partizane kundër fashizmit, është shndërruar në tingullin e një beteje të re, asaj me një armik të padukshëm, por jo më pak të egër, Covid-19.
Shtatë artistë nga mbarë bota, përfshirë Shqipërinë, e përfaqësuar nga Irma Libohova kanë risjellë në një version origjinal “himnin” e paqes dhe solidaritetit.
Kështu, artistit italian Tommaso Primo iu bashkuan Guillem Roma nga Spanja, Samah Mustafa nga Palestina, braziliani Dewis Caldes, Georgios Strimpakos nga Greqia, Irma Libohova dhe Laye Ba nga Senegali.
Mbartëse e vlerave universale, duket se “Bella Ciao” përbën një trashëgimi të vërtetë kulturore. Teksa autori i lirikës mbetet i panjohur, të shumtë janë artistët që përgjatë periudhave të ndryshme nuk kanë mundur dot t’i rezistojnë një performance ekzaltuese, nën interpretimin personal të këngës.
“Një mëngjes (Una mattina)”- mjaftojnë dy fjalë për të zgjuar lehtësisht idealet brenda gjithkujt. Universialiteti i “Bella Ciao” zbërthehet pikërisht mbi cilësitë themelore që përcjell; liri, paqe dhe solidaritet.
Fuqia e jashtëzakonshme e një këngë, që përmes melodisë së saj përmbushi një qëllim të vyer; të qenurit kolona zanore përgjatë 75 viteve revolucion dhe protesta në çdo cep të botës. Republikë dhe demokraci, ja çfarë i mëshon më së tepërmi e shumëdëgjuara “Bella Ciao”. Ishin këto arsyeja përse tingujt e saj shoqëruan spanjollët kundër regjimit të Franco-s, palestinezët e burgosur në Gaza, apo zjarrëfikësit britanikë, që disa ditë më parë, teksa i dërguan një mesazh solidariteti Italisë së prekur nga pandemia Covid-19, zgjodhën pikërisht të këndonin atë.
Vite të tëra histori e frymëzim- vargjet e “Bella Ciao” do të përqafoheshin nga projekte kinematografike, show, konkurse këndimi dhe protesta masive. Ai që sot duket se po korr një sukses të madh, seriali “La casa de papel” nuk mund të cilësohet kurrsesi si trampolina e “Bella Ciao”, e cila përgjatë 75 viteve është risjellë në versione të ndryshme. Sigurisht, nuk mund të mohohet fakti se seriali i ka falur popullaritet këngës te brezat e rij, duke mundësuar edhe përfshirje në playlist-ën e bareve, kafeneve apo diskove./TCH