Vjosa Osmani-Sadriu, e cila ka bashkëshortin e punësuar në dy institucionet publike në Republikën e Kosovës, që është në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil, së fundmi është përballur me të, i cili ishte pjesë e stafit të njeriut që e kundërshton më së shumti. Prindon Sadriu i cili është drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ishte pjesë e stafit të Ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli me Komisionin për Punë të Jashtme, i mbajtur dy ditë më parë, i cili komision udhëhiqet nga Vjosa Osmani. Gruaja e Prindonit, Vjosa, deputete nga radhët e LDK-së, është kundërshtarja më e zëshme e ministrit Pacolli.
Deri më tani ka qenë e zakonshme që deputetët të kenë qëndrime të kundërta brenda partiake.
Një gjë të tillë e kemi parë më së miri kur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe lideri i tyre Isa Mustafa dëshironte ta bënte Hashim Thaçin, President të Kosovës.
Madje, mbledhja e disa votave nga radhët e LDK-së edhe u shpërblye siç ishte rasti i Alma Lamës me postin e ambasadores në Itali.
Por, kundër zgjedhjes së Thaçit dhe koalicionit me PDK-në, në atë kohë më e zëshmja brenda LDK-së dhe kundër vetë liderit të saj Isa Mustafa, ishte deputetja Vjosa Osmani-Sadriu.
Madje kjo e fundit indinjatën kundër liderit të saj e kishte shprehur edhe kur kishte tentuar që të kandidonte për kryetare të LDK-së, shkruan GazetAlo.
Si ndëshkim për sjelljet e saj, LDK-ja i kishte dhënë numrin 81 në renditjen e kandidatëve për deputetët nga radhët e kësaj partie në zgjedhjet e fundit parlamentare me 2017.
Nga këto zgjedhje, Vjosa doli si femra më e votuar në vend dhe ndër të parët nga kandidatët e LDK-së me 64 mijë e 147 vota.
Në këtë legjislaturë, Osmani-Sadriu, udhëheq brenda Kuvendit edhe me Komisionin Funksional për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.
Si Kryetare e këtij Komisioni në asnjë moment nuk ka ngurruar që të kritikojë ashpër Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacollin.
Por kjo e fundit, edhe pse shumë e votuar dhe e fuqishme brenda LDK-së, e zëshme në politikë dhe në komisioni, po del të jetë jo edhe aq e fuqishme në familjen e saj.
Në raportimin e fundit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, para komisionit, Vjosa Osmanit i ndodhi diçka e pazakontë.
Kjo e fundit përballë vetës nuk kishte vetëm ministrin dhe stafin e tij si palë kundërshtarë, por edhe burrin e saj, Prindon Sadriun, ku me të ka dy fëmijë binjakë dhe mban mbiemrin e tij si mbiemrin e dytë, shkruan GazetaAlo.
Prindon Sadriu nga viti 2008 në Ministrinë e Punëve të Jashtme ushtron detyrën e Drejtorit-Këshilltar i ministrit nga viti 2008.
Por ky nuk është i vetmi funksion i tij publik në Republikën e Kosovës.
Prindoni është edhe nën-kolonel, këshilltar i komandantit të Brigada e Reagimit të Shpejtë të FSK-së në kazermën në Istog që nga viti 2013.
Nga këto dy pozita publike Prindoni arrin të siguroj rreth 8820 euro të ardhura vjetore.
Prindoni ishte i pranishëm në delegacionin e Behgjet Pacollit së fundmi edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, gjatë kohës kur po zhvillonte punimet Asambleja e Përgjithshme e kësaj organizate.
Por, Prindoni në këtë pozitë në MPJ është emëruar gjatë periudhës kur LDK-ja ishte në koalicion qeverisës me PDK-në dhe Ministër i Punëve të Jashtme ishte Skender Hyseni nga radhët e LDK-së, i cili si ministër ishte emëruar me 3 prill 2008 dhe mandatin e ushtroi deri me 18 tetor 2010, përderisa Prindoni në MPJ si drejtor ishte emëruar me 1 gusht 2008, shkruan GazetaAlo.
Mirëpo, kjo pozitë e Prindonit në MPJ, këtë të fundit e përballi me gruan e tij deputete Vjosa Osmani-Sadriun.
Siç shihet edhe në fotot më poshtë Vjosa kishte përballë burrin e saj në stafin e njeriut që tani e kundërshton më së shumti, në stafin e Behgjet Pacollit.
Por se a e kishte marrë me qëllim Ministri Pacolli, burrin e Vjosës në stafin e tij në përballjen me komisionin, mbetet e paqartë.
Mbase prania e Prindonit, është menduar si një shtojcë që e bënë Vjosën të jetë më e përmbajtur në kritikat e saj karshi ministrit Pacolli./GazetaAlo/