Ndërkohë që vijojnë procedurat ligjore për zyrtarizimin e binjakëzimit mes Komunës së Gjakovës në Kosovë dhe bashkisë së Sarandës, një delegacion nga Gjakova ka qenë i ftuar nga kryetarja e bashkisë së Sarandës Florjana Koka, për të kryer një vizitë pune dhe njohjeje, transmeton ATSH.
Kryebashkiakja Koka u bëri atyre një panoramë rreth profilit dhe asteve turistike të kësaj bashkie, si dhe i ka njohur me karakteristikat e me zhvillimet ekonomike, kulturore, etnografike e demografike dhe me mozaikun e besimeve, që bashkëjetojnë në harmoni me njëri-tjetrin.
Kryekomunari Ardian Gjini tha se procedurat për binjakëzimin mes Gjakovës dhe Sarandës, në komunën që ai drejton, kanë arritur të finalizohen me vendimmarrjen në Asamblenë Komunale dhe pasi të arrihet kjo edhe në këshillin bashkiak të Sarandës, nis periudha e punës për të konkretizuar marrëdhënien mes dy bashkive që, siç tha ai, “dëshirojmë të arrijë në marrëdhënie mes qytetarëve, banorëve dhe komuniteteve”.
I shoqëruar nga zv.kryetari i bashkisë së Sarandës, Robert Piro dhe drejtori i kabinetit, Thoma Nika, delegacioni nga Gjakova, ka vizituar qytetin duke nisur nga Qendra sociale e Zhvillimit, në sinagogën hebraike e Manastirin e 40 Shenjtorëve, për të vijuar me vizitën në biznesin e midhjes të firmës “Mane”, me njohjen me Ksamilin si destinacion i dytë turistik i bashkisë Sarandë, me vizitën në qytetin antik të Butrintit.
Guida u pasurua me vizitën në Galerinë “Art-Saranda”, në muzeun historik e etnografik dhe në Zyrën e Informacionit Turistik (ZIT).