Fjalë Kyçe

BE do të vendosë sanksione ekonomike kundër Turqisë pas krizës në Mesdhe me Greqinë

BE do të vendosë sanksione ekonomike kundër Turqisë pas krizës në Mesdhe me Greqinë

Bashkimi Evropian është duke përgatitur sanksione kundër Turqisë, të cilat do të diskutohen në samitin e ardhshëm të bllokut më 24 shtator, në kundërpërgjigje ndaj përplasjeve të vendit me Greqinë në lindje të Mesdheut, ka bërë të ditur të premten kryediplomati i bllokut.

Masat, të cilat kanë për qëllim që ta kufizojnë aftësinë e Turqisë për kërkimin e gazit natyror në ujërat e kontestuara, mund të përfshijnë individë, anije apo përdorimin e porteve evropiane, ka thënë Josep Borrell.

“Bashkimi Evropian do të përqendrohet në të gjitha aktivitetet që konsiderohen si të paligjshme”, ka shtuar ai.

Borrell ka paralajmëruar një gjë të tillë nga Berlini, ku ministrat e Jashtëm të BE-së janë takuar për të diskutuar rreth mbështetjes së Greqisë, pasi që Athina e ratifikoi një pakt mbi kufijtë e saj detar në kundërpërgjigje ndaj pretendimeve të Turqisë për burimet energjetike në rajon, në kohën e manovrave ushtarake të Greqisë dhe Turqisë, shkruan Reuters.

Borrell, i cili ishte kryesues i takimit, ka thënë se blloku është i gatshëm që t’i sanksionojë anijet turke, të bllokojë qasjen e tyre në portet e BE-së dhe t’ua ndërpresë furnizimet. BE-ja mund po ashtu të zbatojë edhe sanksione ekonomike ndaj Turqisë.

“Mund të zgjedhim masa që ndërlidhen me aktivitetet përbrenda sektorëve… ku ekonomia e Turqisë është e ndërlidhur me ekonominë evropiane”, ka thënë Borrelli gjatë një konference për media, duke iu referuar sanksioneve të mundshme, transmeton KOHA.

Ministria e Jashtme turke ka njoftuar se BE-ja nuk ka bazë për qëndrimin e saj dhe ka hedhur poshtë pretendimet detare të palës greke.