Komisioni Evropian (KE) do t’i përgjigjet vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Polonisë, u tha presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, ligjvënësve të BE-së dhe kryeministrit polak, Mateusz Morawiecki.
“Ne nuk mund, dhe nuk do të lejojmë që vlerat tona të përbashkëta të vihen në rrezik”, tha von der Leyen.
Gjykata Kushtetuese e Polonisë ka vendosur që të hedhë poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE-së mbi legjislacionin kombëtar, në çështje të caktuara gjyqësore.
Gjykata Kushtetuese ka thënë se disa nene të traktatit të BE-së nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Polonisë.
Dhe, sipas saj, gjykatësit polakë nuk duhet ta përdorin ligjin e BE-së për të vënë në dyshim pavarësinë e kolegëve të tyre.
Rasti është paraqitur në Gjykatë nga kryeministri Morawiecki.
“Ky vendim vë në dyshim themelet e Bashkimit Evropian. Është një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj unitetit të rendit juridik evropian”, tha von Der Leyen, përcjell rel.
Sipas von Der Leyen janë tri opsione që mund të merren si masa ndaj Polonisë: hapja e procedurave të reja të shkeljes, veprimi përmes mekanizmit të ri të kufizimit të buxhetit ose përdorimi i procedurës së Nenit 7, i cili në fund të fundit mund t’i heq Polonisë të drejtat e votimit të BE -së.
Kjo është hera e parë në historinë e BE-së që udhëheqësi i një shteti anëtar vë në dyshim traktatet e bllokut në Gjykatën Kushtetuese.