Fjalë Kyçe

BE përkrah NATO-s: Ushtria e Kosovës vetëm në përputhje me Kushtetutën

BE përkrah NATO-s: Ushtria e Kosovës vetëm në përputhje me Kushtetutën

Ditë më parë Kryesia e Kuvendit të Kosovës mori vendim që në seancën e 14 dhjetorit të votohen projektligjet për FSK-në.

Projektligjet për FSK-në priten të votohen më 14 dhjetor.

Mirëpo,  transformimin e FSK-së në Ushtri e ka cilësuar proces të rrezikshëm sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai ka thënë se Prishtina do të përballet me pasoja serioze nëse vazhdon me transformimin e FSK-së në Ushtri, raporton lajmi.net.

Sipas tij, ky proces po udhëhiqet në një moment të papërshtatshëm dhe nuk po respektohen procedurat.

Njëjtë si Stoltenberg po mendon edhe Bashkimi Evropian.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiq në një përgjigje për lajmi.net, ka thënë se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm në përputhje me Kushtetutën e vendit.

“BE vazhdon të ndajë pikëpamjet e qarta të NATO-s se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar Kocijançiq.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se transformimi i FSK-së në ushtri nuk do të prish marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n.

Madje ai potencoi se transformimi i FSK-së në Ushtri është në përputhje me Kushtetutën.

“Krijimi i ushtrisë apo mandatimi i Ushtrisë javën që vjen është proces i brendshëm është në përputhje me Kushtetutën tonë, më të avancuarën në botë. Një kushtetutë e cila përmban në vete të gjitha vlerat e demokracisë. Për formimin e Ushtrisë kemi zhvilluar biseda intensive me të gjitha palët e interesuara. Aleanca e NATO-s ka peshë të madhe, ajo mund t’i shpreh mendimet e veta, mirëpo Kosova është e sigurt se asnjëherë nuk do t’i sjellë në rrezik marrëdhëniet me NATO-n”, ka thënë Haradinaj.