Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, vazhdon të ngrejë lartësitë e karrierës së saj ndërkombëtare, duke performuar si artistja kryesore në festivalin prestigjioz ‘MDL Beast’ që u mbajt të enjten në Riad, Arabinë Saudite.
Festivali, i cili njihet për sjelljen e yjeve më të mëdha të muzikës në skenën e tij, këtë herë mirëpriti edhe emra të njohur si Afrojack, Wiz Khalifa, G-Eazy, Gunna dhe të tjerë. Megjithatë, ishte Bebe Rexha ajo që arriti të kapërcejë pritshmëritë e të gjithë të pranishmëve me performancën e saj të jashtëzakonshme.
Në faqen zyrtare të festivalit në Instagram, janë publikuar disa video në InstaStory ku shihet atmosfera e ndezur gjatë performancës së artistes shqiptare. Fansat e pranishëm nuk e fshehën entuziazmin dhe energjinë e tyre, ndërsa Bebe Rexha këndonte hitet e saj të njohura.
Koncerti arriti kulmin me këngën e padiskutueshme “I’m Good (Blue)”, e cila ngriti në këmbë publikun, duke krijuar një moment të paharrueshëm për të gjithë të pranishmit.
Kjo performancë në Riad vjen pas një muaji të suksesshëm për Bebe Rexhën, ku ajo debutoi në skenën e festivalit “Sunny Hill” në Kosovë, duke elektrizuar publikun dhe duke krijuar një lidhje të veçantë me bashkëkombësit e saj shqiptarë.
Performancat e Rexhës dëshmojnë për fuqinë e saj të padiskutueshme si një nga artistet më të mëdha të muzikës pop në skenën ndërkombëtare.