Fjalë Kyçe

Ish-prorektori i UP-së, Muhamet Bicaj, i zhgënjyer me nivelin e arsimit të pas luftës

Ish-prorektori i UP-së, Muhamet Bicaj, i zhgënjyer me nivelin e arsimit të pas luftës

Profesori Muhamet Bicaj, që ishte prorektor i Universitetit të Prishtinës, por edhe ministër i Arsimit në Qeverinë e Kosovës në ekzil, ka folur për tri etapat e arsimit në Kosovë – nga themelimi i Universitetit të Prishtinës, për shkollimin paralel të organizuar gjatë viteve ’90 si dhe për cilësinë e arsimit në periudhën e pas çlirimit.

Bicaj, në Intervistën e Javës në të dielën me “Koha Ditore”, mes tjerash, ka folur edhe për rolin që shkolla ka pasur jo veç në edukim, por edhe në emancipimin e shoqërisë, ndërsa ka shprehur vërejtjet e tij për vëmendjen e pamjaftueshme që shteti i Kosovës ia kushton arsimit.

“Historia e arsimit në Kosovë është e lidhur me historinë e arsimit të Shqipërisë”, thotë Bicaj, ndërsa potencon se Shkolla Normale e Elbasanit ka qenë vendi ku është shkolluar kuadri i parë kosovar, të cilët, siç thotë ai, pastaj erdhën në Kosovë dhe filluan ta përhapin shkollimin edhe këtu.

Tutje, ai thotë se Serbia e ka ditur se qendra e krejt indoktrinimit dhe e ngritjes së vetëdijes kombëtare ka qenë universiteti dhe shkollat në përgjithësi dhe “lufta kryesore e saj ka qenë qysh ta mbyllin Universitetin, qysh të ushtrojnë presion mbi të dhe atëkohë filloi edhe mbyllja e shkollave shqipe”.

Por, thotë Bicaj, populli u tregua mobil me të gjitha strukturat që ishin, edhe në arsim, edhe në shkolla, edhe në Universitet.

“Ne nuk u dorëzuam. Çdo shtëpi u bë shkollë”, potencon profesori Bicaj në këtë intervistë me “Kohën Ditore”.

Ai thotë se si ministër i Arsimit në ekzil, janë munduar e janë organizuar me të gjithë sektorët e arsimit nëpër komuna, dhe kanë bërë planprograme mësimore e tekste shkollore.

“Mësimi është organizuar edhe duke iu falënderuar një vullneti të madh të arsimtarëve e edhe të udhëheqësve të fshatrave. Pra, ne kemi pasur planprogramet dhe tekste shkollore tonat, dhe me to është punuar. Pastaj ne e formuam Fondin për arsimin e Kosovës dhe sipas kërkesave të komunave i kemi financuar arsimtarët, sa për t’ua siguruar një standard minimal”, shprehet ish-prorektori i UP-së, ndërsa thekson se diaspora ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Ndërkaq, për periudhën e pas luftës, Bicaj thotë se nuk është i kënaqur me nivelin e arsimit të ofruar nga Kosova.

“Kishim tjera pritje. Tjera dëshira. Pra, për avancimin e arsimit në të gjitha nivelet, nga parashkollori e deri te niveli universitar. Sot nuk na pengon kurrkush, pra as Serbia e as si dikur Jugosllavia. Ne po e pengojmë vetveten”, ka potencuar profesori i kimisë, Muhamet Bicaj.