Fjalë Kyçe

Biden: Tërheqja nga Afganistani fillon në maj, përfundon në shtator

Biden: Tërheqja nga Afganistani fillon në maj, përfundon në shtator

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë tërheqjen e tyre të fundit nga Afganistani më 1 maj dhe i gjithë procesi do të përmbyllet përpara 11 shtatorit.

“Ne nuk do të nxitojmë. Ne do ta bëjmë atë (tërheqjen) me përgjegjësi, në mënyrë të sigurt dhe do ta bëjmë atë në një koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët tanë, të cilët aktualisht kanë më shumë trupa sesa ne në Afganistan”, tha Biden.

Biden tha se Shtetet e Bashkuara duhet të fokusohen në kërcënimet terroriste që janë paraqitur gjetkë dhe gjithashtu për t’u përballur me Kinën.

Më 2001, forcat e udhëhequra nga SHBA-ja kanë pushtuar Afganistanin dhe kanë rrëzuar regjimin e talibanëve, për shkak të strehimit të Al-Kaidës, grupit ekstremist, i cili ka qenë mbrapa sulmeve terroriste të 11 shtatorit në tokën amerikane.

Uashingtoni aktualisht ka 2.500 trupa në Afganistan.

Lufta u ka marrë jetën 2,400 ushtarakëve amerikanë dhe ka kushtuar rreth 2 trilionë dollarë. Prania amerikane në Afganistan arriti kulmin në vitin 2011 me më shumë se 100,000 trupa.

Në një fjalim televiziv, Biden tha se Shtetet e Bashkuara kishin “përmbushur” misionin e tyre të shkatërrimit të grupeve ndërkombëtare xhihadiste pas sulmeve të 11 shtatorit dhe se me kalimin e çdo viti arsyeja e qëndrimit ishte “gjithnjë e më e paqartë”.

Vendimi i Bidenit nuk është i papritur. Lufta është jashtëzakonisht jopopullore në mesin e votuesve amerikanë dhe paraardhësi i Bideni, Donald Trump ishte zotuar të tërhiqej në fillim të majit.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, tha të mërkurën pas një telefonate me Bidenin se forcat e tij janë “plotësisht të afta” për të kontrolluar vendin.

Edhe aleatët e NATO-s ranë dakord të mërkurën për të filluar tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të tërhiqnin trupat deri në shtator, thuhet në një deklaratë të aleancës.

“Kjo tërheqje do të jetë e koordinuar”, tha deklarata e NATO-s.

Në Bruksel për bisedime me aleatët e NATO-s ka qëndruar të mërkurën Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se Uashingtoni do të punojë për së afërmi me aleatët e NATO-s për një tërheqje të koordinuar nga Afganistani. NATO ka 9.600 trupa në Irak.