Si pasojë e pandemisë në vendin tonë, është shënuar rënie e konsiderueshme e importit të automjeteve me rreth 30 për qind.
Ndonëse gjatë kësaj periudhe, Kosova ka rënie të importit në përgjithësi për produkte të ndryshme që kanë ndikuar direkt edhe në arkëtimin e të hyrave nga Dogana me një rënie prej 12 për qind.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë për KosovaPress, se gjatë pandemisë rreth 2500 automjete janë importuar më pak, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ai thotë se sikurse në gjithë botën, edhe në Kosovë për automjetet e përdorura impakti është më i madh në import.
“Kosova nuk ka mundur me i ikë trendit global të zvogëlimit të tregut të automjeteve. Në gjithë botën ka pasur ulje drastike të veturave të cilat janë shitur. Derisa tek ne kjo është reflektuar me një ulje të konsiderueshme. Për automjetet e reja rënia ka qenë nga 2100 sa janë shitë deri në fund të korrikut, këtë vit kemi rënë në 1500 copë automjete ose rënia ka qenë rreth 30 për qind automjete më pak të reja. Ndërsa për automjetet e përdorura impakti është edhe më i madh. Rreth 2500 automjete kemi më pak të importuara gjatë kësaj kohe të pandemisë, që do të thotë ka rënie mbi 20 për qind në të dy këto fusha. Nëse më herët kemi pasur rreth 11 mijë automjete të importuara gjatë shtatë muajve të parë të vitit, tani kemi vetëm 8500 automjete. Ka një rënie prapë të vazhdueshme të automjeteve”, theksoi ai.
Zëdhënësi Stavileci ka thënë se importi për automjete kryesisht dominohet nga bendet evropiane ose Gjermania, i cila prinë me eksportin e veturave drejt Kosovës.
Sa i përket të hyrave nga Dogana, ai ka thënë është një rënie e konsiderueshme me mbi 70 milionë euro deri tash.
“Gjatë kësaj periudhe ne kemi rënie të importit në përgjithësi të produkteve të ndryshme. Kjo ka ndikuar direkt edhe në arkëtimin e të hyrave. Nëse merret si periudhë krahasuese 2019 me 2020 vërehet se rënia e të hyrave është rreth 12 përqind më pak se viti i kaluar. Në vitin e kaluar kemi pasur të hyra deri në korrik rreth 660 milionë euro , tani kemi rreth 580 milionë euro. Që do të thotë rënia është mbi 70 milionë euro që është një rënie konsiderueshme, e cila varet edhe nga konsumi”, theksoi ai.
Kujtojmë se me masat e Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Covid-19, janë mbyllur edhe tregjet e automjeteve.