Rreth 350 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme po marrin pjesë në një kurs mbi mësim-besimin në Medresenë Alauddin në Prishtinë, i organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës. Imamët thonë se zgjidhja më e mirë do të ishte futja e lëndës së mësim-besimit nëpër shkolla.
Kryeimami i Prishtinës, Burhan Hashani është shprehur se shumica e nxënësve që vijnë në këtë kurs nuk dinë asgjë nga feja dhe gjërat që mësohen në këtë kurs janë elementare.
“Këtu vijnë njerëz, shumica prej tyre janë që nuk dinë asgjë nga feja, kushtet e islamit, janë gjërat po them shumë elementare të cilat mësohen këtu. Përveç këtyre gjërave elementare, kemi futur edhe edukatën fetare dhe qytetare”.
Sipas krye imamit krejt qëllimi është edukimi i të rinjve.
Ky kurs ka në planprogramin e tij edhe lëndën e Gjuhës Angleze dhe Edukatës Fizike.
Bashkësia Islame e Kosovës, vazhdimisht ka kërkuar që fëmijët të mësojnë për fenë në shkolla.
Sipas BIK-ut, mësim-besimi është standard demokratik që duhet respektuar.
Por ideja e futjes së lëndëve fetare në shkolla vazhdimisht ka shkaktuar debat të ashpër.
Krye imami Hashani, ka thënë se kjo çështje nuk duhet të shikohet në aspektin politik.
“Është bërë një zhurmë e panevojshme, një zhurmë shumë e madhe. Nuk synojmë ne me mësim-besimin diçka tjetër përpos edukimit dhe kjo duhet të kuptohet njëherë e përgjithmonë”.
Kurse të njëjta organizohen që nga viti 2000 në Kosovë, dhe ato vazhdimisht mbahen në xhami dhe medrese.