Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së , Federica Mogherini kanë zhvilluar një bisedë telefonike për të shqyrtuar situatën në Ballkanin Perendimor në veçanti për raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini përmes një postimi në Twitter ka thënë se biseda me presidentin Vuçiq është fokusuar te dialogu dhe normalizimi i raporteve me Kosovën.
“Bisedova me presidentin Vuçiq për rrugën përpara rreth dialogut. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht e obligueshme për normalizimin e gjitha çështjeve të hapura është urgjente dhe thelbësore për Kosovën dhe Serbinë, për përparimin drejt BE-së, stabilitetin dhe paqën në rajon. Tarifat duhet të largohet, bisedimet duhet të vazhdojnë” ka shkruar Mogherini.
Presidenti Vuçiq ka thënë gjatë bisedës se dialogu mund të vazhdojë vetëm pas tërheqjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Prishtinës dhe ndaljes së provokimeve siç është miratimi i Statutit të Trepçës, thuhet në një komunikatë nga Presidenca serbe, shkruan rel.
Ai ka thënë se masat të tilla të njëanshme nga ana e Prishtinës dëmtojnë stabilitetin e rajonit.
Në bisedë u theksua se Serbia është e përkushtuar për zbatimin e reformave të nevojshme në rrugën evropiane, thuhet në komunikatë.