Fjalë Kyçe

Bislimi: Do t’i zbatojmë rekomandimet nga Raporti, pavarësisht masave të padrejta ndaj Kosovës

Bislimi: Do t’i zbatojmë rekomandimet nga Raporti, pavarësisht masave të padrejta ndaj Kosovës

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova në Raportin e Progresit është vlerësuar për prioritizimin politik që i është bërë procesit të integrimit evropian. Ai ka shtuar se Qeveria ka vazhduar me agjendën e saj “ambicioze” të reformave të Bashkimit Evropian.

Ai ka theksuar se Kosova do të zbatojë rekomandimet e dala nga raporti pavarësisht masave “të padrejta” të BE-së.

“Do të vazhdojmë zbatimin e rekomandimeve dhe prioritizimin politik të agjendës së integrimit evropian pavarësisht masave të padrejta që janë në fuqi. Ne i konsiderojmë ato si të padrejta sepse së pari është rekomanduar largimi i tyre dhe pavarësisht prapë qëndrojnë në fuqi, dhe së dyti i konsiderojmë si në kundërshtim edhe me vetë parimet e BE-së duke dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e BE-së ndaj qytetarëve tanë. Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe presim që Këshilli të marr vendim shpejt për heqjen e tyre. Kosova nuk ka dhe nuk kërkon alternativë tjetër dhe është e vendosur në rrugëtimin drejt BE-së”.

Bislimi ka përmendur progreset e renditura në raport, si ato në politikë të jashtme, drejtësi, ekonomi, politika sociale, etj.

“Te blloku i kritereve politike, raporti nxjerr në pah arritje kyçe në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e barazisë gjinore. Për përpjekjet kundër korrupsionit është nënvizuar themelimi i njësisë speciale hetimore në PK dhe Ligji për prokurorinë speciale. Këto politika kanë forcuar transparencën dhe llogaridhënien e qeverisjes. Ndërkaq avancimet në fushën e barazisë gjinore, si buxhetimi me ndjeshmëri gjinore dhe përfaqësimi i shtuar i grave në nivelin komunal dëshmojnë angazhimin e Qeverisë për qeverisje gjithëpërfshirëse dhe të drejtë”, ka thënë ai në konferencë për media.

E, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Aivo Orav, ka thënë se pasi Kosova t’i adaptojë reformat, do t’i jepen mjetet nga BE-ja.

“Pasi të adaptoni reformat në përputhje me legjislacionin e BE ne do t’i ofrojmë mjetet për të mbështetur integrimin tuaj në BE. Është e domosdoshme që të përqafohen vlerat e BE-së… BE-ja e tregon zotimin e vet ndaj jush përmes bashkëpunimit të ngushtë ndaj jush dhe mbështetjet financiare… Kosova ka shënuar progres të mirë në zhvillimin e një ekonomie funksionale. Kuvendi është ballafaquar me sfida në ekzekutimin e kompetencave të veta. Progresi i reformave më administratën publike është i kufizuar. Me rritjen e numrit të vendimeve të formës së prerë në rastet e korrupsionit kjo do të ndihmoj që të forcohet lufta kundër korrupsionit, Kosova ka bërë progres sa i përket konkurrueshmërisë”.

Orav ka theksuar se nevojitet konsensus për heqjen e masave.

“Sa i përket heqjes së masave së pari ka nevojë për konsensus por edhe për vendosjen e masave duhet konsensus”.