Bislimi takohet në ShBA me Zëvendës Drejtorin Menaxhues të FMN’së, ZKM jep detaje
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi është takuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Zëvendës Drejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Bo Li “përgëzoi Qeverinë e Kosovës për punën e saj të mirë në fushën e zhvillimit ekonomik, duke theksuar rritjen e qëndrueshme ekonomike, menaxhimin e mirë fiskal dhe implementimin e reformave strukturore.”
Ndërkohë, Bislimi thuhet se e ka informuar atë për zhvillimet më të fundit në vend,
“Ndër të tjera, ai përmendi rritjen e eksporteve, atë të investimeve të huaja direkte, dhe uljen e inflacionit. Ai po ashtu theksoi se të hyrat dhe shpenzimet buxhetore janë rritur në masë të konsiderueshme, ndërsa është forcuar tutje qëndrueshmëria fiskale. Në përfundim, palët diskutuan për bashkëpunimin e mëtejshëm dhe angazhimin e përbashkët për zbatimin e programeve dhe projekteve të ardhshme”, thuhet tutje në njoftim.