Fjalë Kyçe

Bjellorusi: Kolesnikova u arrestua në kufi

Bjellorusi: Kolesnikova u arrestua në kufi

Gati një ditë nuk pati asnjë informacion mbi vendndodhjen e opozitares bjelloruse, Maria Kolesnikova. Tani policia kufitare në Bjellorusi thotë se e ka arrestuar Kolesnikovan. Çfarë fshihet pas kësaj?

Pas zhdukjes së papritur të kundërshtares së regjimit bjellorus të hënën, Maria Kolesnikova, bëhet e ditur se ajo është kapur në kufi me Ukrainën në përpjekje për t’u larguar ilegalisht nga vendi. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Belta, policia kufitare ka bërë të ditur, se Kolesnikova është afruar me një makinë në një pikë kontrolli me bashkëpunëtorët e saj, Ivan Kravzov dhe Anton Rodnenkov. Të dy burrat që e shoqëronin ia dolën të kalonin kufirin. Kjo është konfirmuar nga pala ukrainase. Më parë mediat bjelloruse kishin publikuar një lajm, se 38 vjeçarja është larguar nga vendi, por të dhënat e autoriteteve nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. Ende të martën (08.09) në mëngjes nuk kishte qartësi për vendndodhjen e Kolesnikovës, një nga drejtueset e lëvizjes protestuese kundër presidentit, Aleksander Lukashenko, kurse të hënën nuk dihej asgjë për fatin e saj.

Këshilli Koordinuues i lëvizjes demokratike bjelloruse ka konfirmuar të hënën, se Kolesnikova është rrëmbyer në qendër të Minskut nga të panjohur. Mbi zhvillimet të martën, Këshilli ka thënë, se ende nuk ka informacione, se ku ndodhet Kolesnikova dhe dy bashkëpunëtorët. “Ne vetëm mund të konfirmojmë faktin, që Maria Kolesnikova nuk donte të largohej me dëshirë nga vendi”, ka thënë Këshilli Koordinues. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Ukrainës, Anton Geratschenko bëri fjalë në median sociale, Facebook, për një përpjekje për deportim. “Maria Kolesnikova nuk mund të dëbohej nga Bjellorusia, sepse kjo grua e guximshme përmes veprimeve të saj e bëri të pamundur deportimin e saj.” Disa media kanë shkruar, se Kolesnikova me gjasë e ka grisur pasaportën.

E shtyrë në një mikrobus të zi

Anëtarë të familjes së Kolesnikovës kishin dorëzuar kërkesën për person të humbur tek autoritetet. Një dëshmitare i ka raportuar portalit Tut.by, se Kolesnikova të hënën paradite u fut me zor në një mikrobus. As ajo, as Kravzov apo Rodnenkov nuk arriheshin përmes telefonit. Krahas kandidates së opozitës për presidente në zgjedhjet e 9 gushtit, Svetlana Tichanovskajas që ndodhet në ekzil në Lituani, Kolesnikova është ndër figurat kryesore që kundërshtojnë presidentin Lukashenko. Tichanovskaja ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Kolesnikovës. Pas zhdukjes të hënën, Ministria e Punëve të Brendshme, tha në fillim, se nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e opozitares.

Reagimet nga Europa pas zhdukjes të hënën të Kolesnikovës shënjestronin qartë autoritetet në Minsk. Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas u shpreh për gazetën gjermane “Bild”, se “Ne jemi shumë të shqetësuar për zonjën Kolesnikova. Sipas Maas “arrestimet e vazhdueshme dhe represionet” janë të “papranueshme”. Kurse i ngarkuari i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell, është shprehur, se Bashkimit Europian pret “lirimin e menjëhershëm të të gjithë personave, të cilët para dhe pas zgjedhjeve presidenciale të manipuluara më 9 gusht janë arrestuar për arsye politike.”

Me dhunë kundër demonstruesve

Presidenti Aleksander Lukasheko, që zyrtarisht sipas të dhënave ka fituar 80% të votave për një mandat të gjashtë presidencial ka vepruar me ashpërsi kundër demonstruesve, që protestojnë prej disa javësh. Opozita bjelloruse i shikon zgjedhjet si të manipuluara dhe proteston kundër Lukashenkos. Vetëm të dielën e shkuar sipas të dhënave të autoriteteve janë arrestuar më shumë se 630 vetë