Fjalë Kyçe

“Bleta punëtore” e Ferizajt nga qendra në oborrin e “Pastrimit”

“Bleta punëtore” e Ferizajt nga qendra në oborrin e “Pastrimit”

“Bleta punëtore” e quan artisti veprën e tij që për pesë vjet qëndroi në qendër të qytetit të Ferizajt, në parkun e sheshit “Hyrë Emini”.

Por Komuna e Ferizajt në fillim të kësaj jave e ka larguar atë për ta zhvendosur në oborrin e kompanisë “Pastrimi”, që merret me mirëmbajtjen e qytetit. Largimi i skulpturës së hekurit ka nxitur reagime, shkruan sot Koha Ditore.

Tashmë “Bleta punëtore” ishte bërë një pikë reference për qytetarët ferizajas. Pos kësaj, skulptura mbi tri metra e gjatë thyente edhe monotoninë e qytetit ku dominojnë shtatoret. Ishte porositur nga Komuna e Ferizajt para pesë vjetësh. Autori i saj, Përparim Behluli, një skulptor i njohur për artin në hapësira publike, ka thënë se nuk është kontaktuar nga Komuna për vendimin që vepra të largohet nga parku. E publicistë e artistë ferizajas kërkojnë që ajo të kthehet.

Behluli ka thënë se ka marrë vesh që skulptura është larguar përkohësisht.

“Nuk e di ku është dërguar. Nuk e di çfarë të them për atë që nuk më kanë lajmëruar. Nëse do të më kishin lajmëruar do ta kisha marrë në shtëpi dhe do ta kisha rregulluar”, ka thënë ai. Më 2014, vepra kishte zënë vend në park. E punuar nga hekuri e poliesteri, ajo ishte vendosur mbi lule që po ashtu ishin vepra të Behlulit.

Albion Sherifi, këshilltar për media i kryetarit të Ferizajit, Agim Aliu, ka thënë se janë dy arsye për të cilat është larguar skulptura nga parku. Sipas tij, shkaku i poliesterit ka kundërmuar vazhdimisht kohëve të fundit dhe ishte bërë strehë e qenve endacakë dhe e shpezëve. Ka thënë se ishte dëmtuar edhe nga persona të papërgjegjshëm.

Sherifi ka thënë se si Komunë kanë biseduar me autorin e skulpturës dhe ajo duhet të rregullohet shkaku i dëmtimeve që ka pësuar për pesë vjet qëndrim në hapësirë publike.