Jo gjithmonë paratë shkojnë tek ai që ka para, siç thotë një thënie disi cinike. Këtë mund ta dëshmojë më së miri Tiziano, një 60-vjeçar italian nga Jesi, në afërsi të Ankonës. Tiziano kishte humbur punën prej disa vitesh, dhe me të edhe shpresën për t’iu rikthyer një jete normale.
Paratë e pakta me të cilat mbijetonte bashkë me të ëmën e sëmurë, i fitonte rrugëve duke pranuar punë të vogla, por më së shumti duke lypur në kryqëzimet e semaforit.
Banorët e zonës e njihnin dhe e respektonin, sepse Tiziano përshëndeste dhe i buzëqeshte të gjithëve, edhe atyre që nuk jepnin as një monedhë të vetme, pas zhonglimeve të vogla që kryente kur semafori ishte i kuq.
Por më 16 gusht, jeta e tij ndryshoi. Ndoshta me paratë e fundit, ai bleu një biletë nga ato “gërvisht e fito”, me vlerën 5 euro. Fati kishte përqendruar “fenerët” e tij në atë distributor automatik dhe Tiziano përnjëherë u shndërrua në fituesin e 300 mijë eurove.
U zhduk një muaj italiani, por dje u shfaq sërish në dyqanin ku bleu biletën që i ndryshoi jetën, pa mjekrën e gjatë karakteristike, por bashkë me një çek si falënderim për pronarët.
Jo vetëm dy ditë më parë ai ftoi për darkë të gjithë punonjësit e bankës ku zakonisht depozitonte ato pak të holla në të kaluarën dhe që e kishin ndihmuar edhe në praktikat për tërheqjen e shumës së fituar.
Shpenzimi i parë për Tizianon nuk ishte një automjet luksoz, por një biçikletë komode, sepse sipas tyre që e njohin mirë, ai “është dhe mbetet një njeri i lirë”