Fjalë Kyçe

Blinken optimist për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Blinken optimist për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shprehu besimin se Suedia dhe Finlanda do t’i bashkohen NATO-s pasi këto dy shtete zyrtarisht të aplikojnë, pavarësisht se Turqia ka shprehur shqetësime për anëtarësimin e mundshëm të këtyre dy shteteve nordike.

“Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fuqishëm aplikimin në NATO edhe të Suedisë dhe Finlandës, nëse këto dy shtete vendosin që zyrtarisht të aplikojnë për anëtarësim në aleancë”, tha Blinken për gazetarët të dielën, pasi ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan në Berlin.

Ai tha se ka dëgjuar “mbështetje të fuqishme” për anëtarësimin në NATO të këtyre dy shteteve.

“Jam i bindur se ne do të arrijmë konsensus”, tha ai.

Finlanda më 15 maj zyrtarisht njoftoi se do të aplikojë për anëtarësim për NATO. Ky shtet, që gjendet në kufi me Rusinë, pritet të aplikojë në NATO, pasi Parlamenti të miratojë një vendim të tillë.

Edhe Suedia, shtet tjetër nordik, pritet të bëjë një njoftim të tillë më 16 maj.

Rusia ka paralajmëruar kundër zgjerimit të NATO-s, teksa Turqia ka shprehur kundërshti për anëtarësimin e mundshëm të Finlandës dhe Suedisë. Kundërshtitë e Turqisë më shumë kanë të bëjnë me aplikimin e mundshëm të Suedisë, për shkak të qëndrimit të butë ndaj Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, e konsiderojnë organizatë terroriste./ REL