Qeveria e Kosovës ditë më parë ka filluar të ofrojë bono të Thesarit për diasporën, me qëllim të orientimit të fondeve të diasporës në financime që mundësojnë zhvillimin ekonomik.
E kur kanë mbetur edhe një javë kohë për të investuar në këto bono, ministri i Financave, Hekuran Murati ka bërë të ditur se interesimi për të investuar ka arritur në rreth 7 milionë euro.
“Interesimi për të investuar në Bonot e Diasporës tashmë ka arritur në rreth 7 milionë euro. Megjithëse kemi ofruar dy afatizime, mërgata jonë duket se preferon investimin më afatgjatë në vend, sepse mbi 80% e shumës së investuar është në Bonot 5-vjeçare. Mërgata për Kosovën”, ka shkruar Murati.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe bankat komerciale partnere për lëshimin e bonove të Thesarit për diasporën.
Shuma totale e paraparë për këto bono është 20 milionë euro, me mundësi rritjeje deri në 50 për qind, nëse do të ketë kërkesa.
Për ata që blejnë bono të Thesarit me kohëzgjatje trevjeçare, interesin që do ta marrin do të jetë 1.2 për qind, kurse për paratë e investuara për pesë vjet, interesi do të jetë 2.2 për qind.
Kuponi i parë i interesit do të paguhet në muajin shkurt, kurse i dyti në gusht dhe kështu do të vazhdojë pagesa çdo gjashtë muaj, deri në përfundimin e marrëveshjes. Krejt në fund, kur përfundon koha e maturimit, personi që i ka lëshuar kredi shtetit, i merr të gjitha paratë e investuara. /Telegrafi/