Reshjet e mëdha të borës kanë shkaktuar kaos në disa pjesë të Gjermanisë dhe Suedisë. Si pasojë e këtij moti, shumë rrugë janë bllokuar dhe shkollat janë mbyllur.
Kryqi i Kuq gjerman ka ofruar ndihmë për vozitësit e bllokuar në një autostradë të Bavarisë, ndërsa një fëmijë 9-vjeçar ndërroi jetë pas rrëzimit të një druri. Në anën tjetër, një ortek e ka bllokuar hyrjen e një hoteli në Zvicër, ndërkaq rrugët në disa pjesë të Suedisë dhe Norvegjisë janë bërë të pakalueshme.
Trashësia e borës në disa pjesë të Austrisë ka arritur deri në tri metra. Shtatë persona kanë vdekur javën e kaluar, ndërsa tre turistë janë shpallur të zhdukur. Ushtria austriake ka përdorur helikopterë për ta larguar borën nga drunjtë që gjenden pranë rrugëve dhe hekurudhave për ta shmangur thyerjen e tyre.
Në Suedi janë regjistruar erëra me shpejtësi prej 180 kilometrash në orë. Kushtet atmosferike në Bavari kanë qenë shumë të rënda në ditët e fundit. Rrugët janë bllokuar nga drunjtë e thyer, ndërsa probleme ka pasur edhe për qarkullimin e trenave, shkruan “BBC”.