Fjalë Kyçe

Bordi i Telekomit s’di për punësimet masive gjatë dy jave të fundit

Bordi i Telekomit s’di për punësimet masive gjatë dy jave të fundit

Pasi u ndanë pozitat drejtuese për tri partitë në pushtet dhe familjarët e tyre, Telekomi, edhe pse në prag të falimentimit, në më pak se dy javë ka punësuar rreth 100 punëtorë.
Koha Ditore, duke u bazuar në burime të brendshme, ka raportuar se gjatë vikendit është mbajtur një test “formal”, ku janë thirrur disa persona, por që kjo është bërë pa një komision që do të bënte përzgjedhjen e tyre, e të cilët pretendohen se janë militantë të partive politike që janë në pushtet, ose familjarë të tyre.
Sidoqoftë, punëtorët nuk janë futur në listat e pagave, pasi ende nuk e kanë bërë një muaj të plotë.
Për KTV-në, Telekomi nuk ka mohuar gjetjet e gazetës, e as nuk ka treguar nëse për të punësuarit kanë shpallur konkurs.
Telekomi, si institucion publik, është i obliguar që t’i ndjekë procedurat e rregullta të rekrutimit të stafit të përcaktuar me ligj.
Zëdhënësi i kësaj ndërmarrjeje, Arsim Bilalli, ka thënë se Telekomi i Kosovës i ka të parapara me planin e biznesit, lëvizjet e mundshme të resurseve njerëzore.
“Ajo që vlen të përmendet është edhe fakti se Telekomi i Kosovës ballafaqohet me një moshë të vjetër të stafit, ku, si rrjedhojë, kemi pensionime, e në disa raste edhe vdekje natyrore”, thuhet në përgjigjen e Bilallit.
Aksionari kryesor i Telekomit, ministri i Zhvillimit Ekonomik, ka heshtur përballë kësaj.
KTV-ja ka provuar ta kontaktojë ministrin Lluka, por ai nuk është përgjigjur.
Ndërkaq, kryetarja e Bordit, Besa Berisha-Shatri, thotë të mos jetë në dijeni për këto punësime, derisa, sipas saj, asnjë punëtor i ri nuk do të përfitojë nga pakoja financiare e premtuar nga ministri, në emër të ristrukturimit të Telekomit.
Eksperti i telekomunikacionit, Agron Dida, ka thënë se Telekomi u shkatërrua pikërisht nga punësimet partiake të bëra pothuajse në ndërrimin e secilës qeveri.
Në nëntorin e kaluar, Kohavisioni kishte raportuar se si bashkëshortja e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, Shehide Qerimi-Lushtaku, ishte përzgjedhur ta ushtrojë pozitën e drejtoreshës së Auditimit të Brendshëm të Telekomit.
Pozita e Drejtorit të Financave ishte rezervuar për një njeri të afërt me AAK-në dhe aty është përzgjedhur drejtori i Sinalcos, Armend Osaj.
Kurse, vëllai i Fatmir Limajt, Demir Limaj, që ka qenë duke punuar në këtë ndërmarrje tash e disa vjet, ndërroi pozitë dhe u emërua në atë të Drejtorit për Shitje në Telekom.