182 milionë euro është vlera e borxhit për shpronësime pronash që rëndon mbi supet e shtetit. Pasi në dispozicion për këtë qëllim janë vetëm 7.2 milionë euro, Ministria e Infrastrukturës synon që gjatë rishikimit të buxhetit t’i shtojë 15 milionë euro për zvogëlimin e borxhit.
Ministria planifikon të marrë para nga projekte që janë pjesë e buxhetit, por të cilat nuk pritet të realizohen sivjet.
Zëvendësministër i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, thotë se Qeveria Kurti ka trashëguar gjendje të keqe.
“E kemi trashëguar një gjendje shumë të keqe. Ka shumë projekte të cilat nuk kanë filluar fare procedurat e shpronësimit. Ne nuk do të lejojmë që në të ardhmen të fillojë një procedurë e tenderimit në qoftë se nuk janë zgjidhur paraprakisht të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me atë kontratë sepse kjo do të na kushtojë pastaj me kohë, me dënime e penalizime të ndryshme”, ka thënë Durmishi.
Për të siguruar më shumë para për shpronësime, Ministria ka anuluar memorandumet e nënshkruara me komunat, në vlerë të 18 milionë eurove.
Mirëpo, një formë e tillë nuk është zgjidhja më e mirë sipas lëvizjes FOL, e cila monitoron procesin e shpronësimeve të pronave.
“Do të duhej vetë Ministria në këtë rast e Mjedisit në kuadër të së cilës është departamenti i shpronësimit, që të gjejë metoda tjera pavarësisht që kemi theksuar e ritheksuar që ky vit nuk duhet të jetë i asfaltit, duhet të jetë prioritet shëndetësia, vaksinat që të vijnë, arsimi për shkak të situatës me pandeminë në të cilën gjendemi”, ka deklaruar Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë e lëvizjes FOL.
Qeveria e re në krye me Vetëvendosjen, sipas Demolli-Nimanit, nuk duhet ta vazhdojë praktikën e fshehjes së vlerësimit të parcelave për shpronësim, pasi thotë se keqpërdorimet më të mëdha ndodhin pikërisht në këtë fazë.
“Duhet të hetohet se çfarë dhe sa është vlerësuar secila parcelë në mënyrë që të shihet nëse vërtet ka aq dallime në mes të pronave të njëjta që janë shumë pranë njëra tjetrës dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë, sepse nuk mund t’u bëhen padrejtësi qytetarëve që dikujt t’i vlerësohet ndoshta me 100 euro ari, ndërsa dikujt me 1000 mijë, është dallim shumë i madh”, ka shtuar ajo.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave nëse planifikon t’i publikojë këto të dhëna, por ajo ka thënë se pas vlerësimit të pronave, kjo është përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës.
Peng i procedurave të shpronësimit ka mbetur tash e disa vjet përfundimi i autostradës nga Prishtina për në Gjilan dhe po ashtu rrugët për Podujevë e Mitrovicë.