Therja me thikë e shkrimtarit, Salman Rushdie është përshkruar si “sulm ndaj lirisë së mendimit dhe fjalës”.
75-vjeçari po vazhdon të mbetet në një ventilator pasi u transportua me helikopter në spital dhe iu nënshtrua operacionit për orë të tëra pas sulmit me thikë në New Yorkut, shkruan Sky News të shtunën.
Pas ngjarjes së rëndë, mesazhe të shumta janë lëshuar për autorin britanik me origjinë indiane.
“Ky sulm i tmerrshëm ndaj mikut tim të dashur Salman përfaqëson një sulm ndaj lirisë së mendimit dhe fjalës. Këto janë liritë që mbështesin të gjitha të drejtat dhe liritë tona. Salman ka qenë një mbrojtës frymëzues i shkrimtarëve dhe gazetarëve të persekutuar në të gjithë botën”, ka shkruar romancieri Ian McEwan.
Norvegjezi William Nygaard, i cili u qëllua dhe u plagos rëndë në vitin 1993 pasi botoi veprën e Salman, tha se “Ai është një autor kryesor që ka shumë domethënie për letërsinë dhe po bënte një jetë të mirë në Shtetet e Bashkuara”.
Sekretarja e Brendshme britanike, Priti Patel shkroi në Twitter se ndjehet e shokuar me ndodhinë.
“E shokuar dhe e tmerruar kur dëgjova për sulmin e paprovokuar dhe të pakuptimtë ndaj Salman Rushdie. Liria e shprehjes është një vlerë që ne e mbajmë të dashur dhe përpjekjet për ta minuar atë nuk duhet të tolerohen. Mendimet e mia janë me Salman dhe familjen e tij”, ka shkruar ajo.
Reagim pati edhe nga kryeministri britanik, Boris Johnson.
“Të tmerruar që Sir Salman Rushdie është therur me thikë ndërsa po ushtronte një të drejtë që nuk duhet të ndalojmë kurrë së mbrojturi. Shpresojmë se ai është mirë”, është reagimi i Johnsonit.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan e quajti therjen me thikë të Rushdie një akt dhune dhe të tmerrshëm.
“Sot, vendi dhe bota panë një sulm të dënueshëm kundër shkrimtarit Salman Rushdie. Ky akt dhune është i tmerrshëm. Të gjithë ne në administratën Biden-Harris po lutemi për shërimin e tij të shpejtë. Ne u jemi mirënjohës qytetarëve dhe reaguesve të parë që e ndihmuan Rushdie kaq shpejt pas sulmit”, ka shkruar Sullivan.