Historiani dhe shkrimtari i njohur, Jusuf Buxhovi ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rajon.
Buxhovi në një intervistë për “Përballje” në Telegraf me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka treguar edhe vlerësimin e tij për qeverisjet e deritashme në vend të udhëhequra nga LDK, PDK e AAK, qeverisjen e Albin Kurtit gjatë këtyre muajve si dhe reformat që ai mendon se duhet të ndodhin në LDK e LVV.
Gjithashtu intelektuali Buxhovi ka thënë se iniciativa “OPEN BALLKAN” e nisur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut është e dëmshme për Kosovën në aspektin historik, politik, diplomatik, por edhe për krijimtarinë e veprat e tij
“Në aspektin historik është marrëveshje e dëmshme. Në këtë drejtim një aleancë e re që po del në emër të Mini Shengenit, unë jam mosbesues ndaj saj sepse këto aleanca vazhdimisht kanë funksionuar në dëm të çështjes shqiptare”, u shpreh Buxhovi.
Historiani më tej shtoi se Shqipëria e drejtuar nga Edi Rama dhe Maqedonia e Veriut e udhëhequr nga Zoran Zaev, kanë ra në ndikimin e Serbisë.
“Edi Rama dhe Maqedonia kanë ra nën ndikimin e Serbisë. Ata më me dëshirë e pranojnë Serbinë liderë ku ata megjithatë do të jenë pjesë e një pazari ku faktikisht Kosova do të pësoj, sesa të jenë pjesë parimore e një marrëveshje ku do të jenë të gjithë të barabartë e ku Serbia nuk është liderë”, u shpreh Buxhovi.
Ai theksoi se në aspektin diplomatik Shqipëria ka bërë akt kundër shtetit të Kosovës.
“Në aspektin diplomatik Shqipëria ka bërë një gabim shumë të madh, një akt që është kundër shtetit të Kosovës. Nëse ti hyn në një marrëveshje ku Washingtoni ta jep formulën që duhet të jetë e barabartë, ti e pranon realitetin që shteti i Kosovës është pjesë e Serbisë, është akt diplomatik kundër Kosovës”, u shpreh Buxhovi.
Buxhovi shtoi se në formën qysh ka nisur kjo marrëveshje nuk do të ketë jetëgjatësi.
“Tirana, Maqedonia po luftojnë për me dobësuar pozicionin e shtetit të Kosovës”, tha Buxhovi. Buxhovi në këtë intervistë ka folur edhe për veprat dhe krijimtarinë e tij letrare dhe historike.