Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka thënë se thirrja e ministrisë për angazhim të profesorëve shqiptarë që punojnë në universitete tjera të botës të angazhohen në Universitetin e Prishtinës, u konsiderua si ndërhyrje nga rektorati i UP-së.
Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se shpenzohen miliona për staf të angazhuar në UP, e që sipas tij, lë për të dëshiruar.
“Flasim për miliona që shpenzohen në një staf të angazhuar që ky staf gjithmonë e ka një pikëpyetje, të lë për të dëshiruar se sa është i përgatitur për t’u ofruar studentëve tonë atë që e presin. Ne kërkuam kur u shpall konkursi në UP që të ketë angazhim të stafit profesional. Bëmë një thirrje publike që gjithë profesorët tonë që mund të jenë nëpër universitetet e botës të aplikojnë në UP dhe të bëhen pjesë e Universitetit me qëllimin e vetëm që të ngrihet standardi i cilësisë”, ka thënë Bytyqi.
Ai tregon se kjo u konsiderua si ndërhyrje nga rektorati i UP-së.
“Ndoshta ka qenë edhe emocionale dhe e momentit edhe pse ishte thirrje transparente dhe publike. Kishim edhe takime me rektorin ku ne si ministri kishim shpreh gatishmëri që të bëjmë një strategji për thithjen e trurit që e kemi jashtë vendit dhe në mënyrë që unë pastaj ta prezantoj në qeveri që të gjendet një mundësi për stimulimin e këtyre profesorëve që të kthehen në UP”, ka shtuar më tej ai.