Kujdes kur zgjidhni mjekun! Çdo minutë 5 të vdekur në botë nga trajtimi i gabuar
Miliona vetë sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë bëhen viktimë e trajtimeve të gabuara mjekësore.
“Çdo minutë vdesin 5 njerëz në botë për shkak të trajtimeve të gabuara”, tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanim Ghebreyesus në Gjenevë.
Për herë të parë për këtë OBSH shpall “Ditën Botërore për Sigurinë e Pacientëve” më 17 shtator. Me këtë organizata e OKB-së kërkon të tërheqë vëmendjen për këtë problem.
Në të gjithë botën 40% e pacientëve kanë pësuar lëndime në trajtimet ambulante, kurse në spitale kanë pasur probleme vetëm 10% e tyre. Në 150 vende me të ardhura të ulëta e të mesme, 2,6 milionë njerëz madje kanë ndërruar jetë për shkak të trajtimeve jo të duhura mjekësore, transmeton DW shkrimet e mediave dpa, epd e kna.
Gama e gabimeve është e madhe – që nga diagnoza e gabuar deri tek ilaçet e papërshtatshme, ata kanë marrë rrezatimin jo të duhur apo janë infektuar gjatë trajtimit.
Në statistikat e OKB-së dalin edhe prerjet e gjymtyrëve të gabuara apo operacione në anën e gabuar në kokë tek fëmijët.
“Ky është një problem global”, ka thënë një nga krerët e OBSH-së, Neelam Dhingra-Kumar.
Një arsye është edhe hierarkia e fortë në spitale, ku personeli vartës nuk guxon të hapë gojën, apo punonjësit kanë heshtur nga frika e pasojave. Sipas ekspertëve, me një siguri më të mirë për pacientët, kursehen para, sepse pacientët e trajtuar gabim duhet të trajtohen më vonë shumë gjatë në klinika.
Presidenti i Dhomës së Mjekëve Gjermanë, Klaus Reinhardt është shprehur, se prioritet kryesor duhet të jetë siguria e pacientëve. “Cilësia dhe siguria duhet të jenë motorët e sistemit mjekësore dhe jo konkurrenca dhe presioni i shpenzimeve”.