Fjalë Kyçe

Çështja e dinarit, Escobar: Vendimet e njëanshme kanë pasoja, palët të kthehen në dialog

Çështja e dinarit, Escobar: Vendimet e njëanshme kanë pasoja, palët të kthehen në dialog

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka komentuar zhvillimet e fundit, me hyrjen në fuqi të rregulloreS së BQK-së që përjashton përdorimin e dinarit në Kosovë.

Emisari amerikan tha se palët e kanë plotësisht të qartë se nuk mund të ketë lëvizje të njëanshme dhe se lëvizje të tilla do të kenë pasoja.

Escobar tha se këto çështje duhet të komunikohen me afate që nuk prekin popullatën. Ai përsëriti se palët duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet, transmeton gazeta online Reporteri.net.

“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në zgjidhjen e problemit, por Beogradi dhe Prishtina duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese,” tha ai.

Sipas tij, shumë nga këto çështje mund të zgjidhen me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Esobar tha se SHBA-të e mbështesin plotësisht dialogun nën patronazhin e BE-së dhe investojnë të gjitha përpjekjet për ta vazhduar atë, si dhe dialogu është i vetmi kanal për zgjidhjen e “çështjeve dypalëshe”.

“Përkrahja jonë teknike, mbështetja jonë ekonomike dhe ndikimi ynë politik qëndron pas kësaj, sepse në fund të fundit, aspiratat tona më të mëdha janë që Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Dhe të zhvillojnë marrëdhënie bilaterale paqësore, produktive dhe efikase në ndërkohë”, tha Escobar.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka ritheksuar dje se nuk do të ketë kthim pas të vendimit të BQK-së, por nuk do të ketë masa ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit për ndalimin e dinarit, derisa ky institucion doli me njoftim se kjo periudhë mund të zgjasë deri në tre muaj.

Kurti tha se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

“Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë me përkushtim të njëjtin qëndrim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, shkroi sot Kryeministri Kurti.

E lidhur me këtë fazë tranzicioni nga BQK thanë se ajo mund të zgjasë deri në tre muaj, derisa prezantuan edhe një plan 10 pikësh.