Dhomat e Specializuara s’kanë ndonjë informacion shtesë për atë se çfarë ka ndodhur me kravatën kuq e zi të Jakup Kransiqit dhe pse i është kërkuar ta heqë. Në një përgjigje nga Haga për Express kanë thënë se informacionet e vetme për këtë çështje janë ato që janë thënë në seancën e djeshme.
Të hënën, mbrojtja e Jakup Krasniqit ka kërkuar sqarime nga gjyqtari, Charles Smith III, pasi ish-zëdhënësit të UÇK-së i është dashur ta largojë kollaren e tij me ngjyrat kuq e zi dhe me shqiponjën dy krenare.
Nga ekipi mbrojtës kanë thënë se Krasniqi të njëjtën kollare e ka pasur edhe herë të tjera në sallën e gjyqit.
“Z. Krasniqi këtë kollare e ka veshur edhe herë të tjera. A mund ta dimë se pse i është hequr kollarja”, ka thënë një nga pjesëtaret e ekipit mbrojtës të Krasniqit, shkruan Gazeta Express.
Gjyqtari Smith në seancën e 8 korrikut ka thënë se do të interesohet se çfarë ka ndodhur me kollaren e Jakup Krasniqit dhe se
“Ju thash që do të interesohem dhe do t’iu them”, ka deklaruar gjyqtari Charles.
Gazeta Express sot ka dërguar pyetje në Dhomat e Specializuara për të kërkuar përgjigje rreth pretendimeve të ngritura nga mbrojtja e Krasniqit rreth heqjes së kollares, megjithatë Haga s’ka pasur ndonjë informacion shtesë.
“Në këtë moment, informacioni i vetëm publik për këtë temë është ajo çfarë është thënë në seancën publike dje”, kanë thënë nga Dhomat e Specializuara për Gazetën Express.
Në Kosovë ka pasur shumë reagime lidhur me kollaren e Jakup Krasniqit.
Ish-komandanti i UÇK-së, Ramë Buja, ka thënë se është shumë shqetësuese ajo që po ndodh.
“Përgjatë kohës kur kemi qëndru për nja 18 muaj në një dhomë burgu s’ke mujtë me i dal përpara për mbrojtje të vendit, E tash kjo gjykatë që kinse është për drejtësi po shihet si është dhe mendoj se është shumë shqetësuese”, ka deklaruar Buja në T7.