Fjalë Kyçe

Crnadak: Kosova e Shqipëria, me mosardhjen në Sarajevë, kanë nisur zbatimin e politikës së përbashkët të jashtme

Crnadak: Kosova e Shqipëria, me mosardhjen në Sarajevë, kanë nisur zbatimin e politikës së përbashkët të jashtme

Pas anulimit të pjesëmarrjes së Kosovës në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) organizuar nga Bosnje-Hercegovina, njëjtë ka vepruar edhe Shqipëria.

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës, Igor Crnadak, për “Klix.ba” ka thënë se kjo paraqet zbatimin e paralajmëruar të politikës së përbashkët të jashtme mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Crnadak ka thënë se delegacioni i Kosovës kohë më parë ka paraqitur kërkesë për viza dhe kjo tregon se ka pasur vullnet që të marrin pjesë në samit.

“Ne e kemi shqyrtuar kërkesën dhe u kemi lëshuar viza Pacollit dhe delegacionit të tij. Por se çfarë ka ndodhur në ndërkohë, vërtet nuk e di, por kjo është hera e parë që kur jam pjesëmarrës në takimet e tilla në kuadër të SEECP-së dhe Ballkanit Perëndimor se një takim është bojkotuar dhe me vetëdije nuk vijnë”, tha ai, transmeton Koha.net.

Ai thotë se ky veprim i Kosovës është goditje shumë e rëndë ndaj bashkëpunimit rajonal dhe normalizimit të marrëdhënieve në tërë rajonin.

Crnadak thotë se anulimi i pjesëmarrjes edhe nga ana e Shqipërisë, është e çuditshme.

“Kjo është shumë e çuditshme dhe jokorrekte. Nuk e di se me çfarë solidarizohen ata. Ne e kemi ftuar si duhet, në pajtim me standardet e SEECP-së, delegacionin e Prishtinës. Me këtë që ka bërë Shqipëria mund të konstatoj se po zbatohet ajo që është paralajmëruar kohë më parë, që ka të bëjë me politikë të përbashkët të jashtme mes Prishtinës dhe Tiranës në të ardhmen. Duket se kjo është nisje e zbatimit të kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Crnadak, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, kryesuesi i presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë se samiti do të jetë rast për bisedime të hapura mes vendeve pjesëmarrëse dhe arritjes së bashkëpunimit më të mirë, ndërsa ka theksuar se do të bisedohet edhe për taksën që qeveria e Kosovës e ka ngritur ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës.

Gazeta serbe “Zëri serb”, duke biseduar me një bashkëpunëtor të ministrit të Jashtëm të Bosnjës, ka thënë se Crnadak, nëse do të jetë shef i diplomacisë boshnjake gjatë kohës sa Kosova do të jetë organizatore e këtij samiti nga shtatori, i njëjti nuk do të udhëtojë në Prishtinës për të marrë pjesë në këtë samit.