Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq gjatë ditës së sotme ka thënë se disa vende të Bashkimit Evropian janë duke luajtur lojë të dyfishtë pasi që sipas tij, nuk duan që të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi, transmeton lajmi.net.
Siç shkruajnë mediet serbe, Daçiq ka thënë se këto vende që nuk po e përkrahin marrëveshjen Kosovë-Serbi janë shtetet të cilat nuk kanë ndikim kryesor në këtë proces, por që sipas tij, përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes së Kosovës është e mirëseardhur.
Daqiq, duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë pret nga Zëvendës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Politike David Hale në Beograd dhe nëse Uashingtoni merr përparësi në negociata, tha se përfshirja e SHBA-ve nuk mund të zëvendësojë procesin e negociatave, por që mund të ndihmojë me zhbllokimin e saj, nëse Kosova e tërheq apo shfuqizon taksën.
“Shumë delegacione nga Shtetet e Bashkuara kanë ardhur tashmë, të gjithë shkojnë në Prishtinë dhe vijnë në vendin tonë. Për sa i përket kësaj, ata nuk duhet të vijnë në Beograd, le të vendosin me Prishtinën për të shfuqizuar taksat dhe ne do të vazhdojmë”, tha Daçiq.
Ai vuri në dukje se qëndrimi i SHBA-së ndaj Serbisë ka ndryshuar dhe se Serbia nuk shihet më si një “problematic gay”, por që sipas tij, nuk është e kuptueshme se si Kosova nuk po e dëgjon Amerikën për shfuqizimin e taksës.
“Është gjithashtu e mahnitshme për mua, dhe pak e dyshimtë, por unë nuk mendoj se SHBA po luan një lojë të dyfishtë. Por disa vende evropiane e bëjnë këtë sepse nuk duan që marrëveshja të arrihet shpejt dhe në parimet që janë diskutuar deri tani dhe ku nuk po udhëheqin”, tha Daçiq, transmeton lajmi.net.
Daçiq po ashtu ka thënë se disa zyrtarë ndërkombëtarë e kanë kritikuar lobimin e Serbisë për tërheqjen e njohjeve dhe ndalimin e Kosovës në anëtarësimin në INTERPOL, dhe në këtë mënyrë këta zyrtarë kanë thënë se Serbia po e pengon dialogun.
“Ne nuk u pajtuam në Bruksel se Kosova duhet të jetë anëtare e organizatave ndërkombëtare, por nëse është pjesë e bisedës, atëherë kjo është një çështje tjetër”, theksoi Daçiq.
Ai po ashtu shtoi se Serbia do të vazhdojë lobimin e saj kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.