Mbrëmjen e 5 majit, në një nga studiot e Radio Televizionit të Kosovës, kishte ndodhur një situatë jo e zakonshme. Avokati Tomë Gashi dhe zyrtari i Partisë Social Demokrate, Nol Nushi, pas përplasjes në emision ishin kacafytur edhe jashtë debatit. Kishin qarkulluar versione të ndryshme se si ka ndodhur rasti, mirëpo IndeksOnline ka siguruar pamjet ekskluzive ku shihet dhe sqarohet e gjithë ngjarja që kishte ndodhur aty.
Në video shihet Nol Nushi teksa e gjuan me ujë Tomë Gashin, por deri te kjo situatë sipas Milaim Zekës kishte ardhur pasi Gashi e ka fyer rëndë Nushin.
Zeka i cili ishte pjesë e panelit në RTK kishte thënë se në momentin që kanë dalë siglat ka ndodhur incidenti.
“Toma e ka fyer Nolin shumë rëndë, ku ky i fundit e ka gjuajtur me ujë, pastaj ne ndërhymë dhe nuk lejuam të bëhet diçka më e keqe. Unë personalisht nuk do të pranoja që askush i familjes sime të fyej Albin Kurtin, siç po fyejnë militantët e Vetëvendosjes”, kishte thënë Zeka.
Ndërkohë zyrtari i PSD-së, Nol Nushi poashtu atë natë kishte pranuar se e ka gjuajtur me ujë Gashin, por jo edhe me sulmu siç kishin raportuar disa media.
“Është e vërtetë deklarata e Milaim Zekës se e kam gjuajtur me ujë Tomën pasi jam ofenduar tepër rëndë. Jam sjellë konform situatës. Besoj të gjithë dëshmitarët e kanë parë se sa rëndë jam ofenduar. Nuk kam çfarë të shtoj pos asaj që shihet se çfarë zelli kanë marrë militantët e Vetëvendosjes ndaj neve. Kush më njeh e di që unë nuk jam person që rrihem. Për Tomën nuk kam çfarë të them pasi dihet se si asi është sjellë me lypësin në shesh”, kishte thënë Nushi.
Për këtë situatë ishte deklaruar edhe vet Gashi. Ai duke mos e konsideruar sulm veprimin e Nushit kishte thënë se pas debatit Nushi e ka gjuajtur e ujë.