Shkalla e lartë e vaksinimit në Danimarkë ka mundësuar që ajo të bëhet një nga vendet e para të BE-së që heq të gjitha kufizimet e brendshme, pas 548 ditësh me masa në vend për të kufizuar përhapjen e COVID-19.
Kthimi në normalitet ka qenë gradual, por që nga e premtja, dëshmia e të qenit i vaksinuar nuk kërkohet më për klube nate.
Më shumë se 80% e njerëzve mbi moshën 12 vjeç në vendin skandinav kanë bërë dy dozat, duke bërë që qeveria daneze të deklarojë që nga mesnata se nuk e konsideron më koronavirusit një sëmundje “kritike shoqërore”, raporton Guardian.
“Nuk do të thoja që është shumë herët. Ne kemi hapur derën por kemi thënë gjithashtu se mund ta mbyllim nëse është e nevojshme”, tha Soren Riis Paludan, një profesor i virologjisë në Universitetin Aarhus.
Pika e kthesës në Danimarkë për të filluar lehtësimin e kufizimeve erdhi kur shumica e njerëzve në grupmoshën mbi 50 i bëri të dy dozat, tha Riis Paludan.
Që nga 14 gushti, mbajtja e maskave në transportin publik nuk është më e detyrueshme. Më 1 shtator, klubet e natës u rihapën, kufizimet në tubimet publike u hoqën dhe nuk ishte më e detyrueshme të tregosh dëshminë e vaksinimit për t’u ulur brenda restoranteve, për të shkuar në ndeshje sportive, palestra ose floktar.