Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Feim Berishën dhe të njëjtin e ka dënuar me 2 mijë e 400 euro, për rrahjen e një gruaje në marketin “Interex”, në Prishtinë.
Ky aktgjykim është shpallur të mërkurën, ndërsa gjykatësi ia ka mundësuar Feim Berishës që këtë gjobë ta paguajë me gjashtë këste.
Berisha fillimisht është dënuar me gjashtë muaj burgim, mirëpo, me propozim të avokates, dënimi i është zëvendësuar me gjobë dhe të njëjtit i është ndërprerë masa e paraburgimit.
Gjatë kësaj seance, Berisha e pranoi fajësinë dhe tha se është penduar shumë, duke kërkuar edhe “falje nga zemra”.
Para trupit gjykues avokatja e Berishës ka deklaruar se e gjithë ngjarja kishte nisur me “provokimin e hapur të së dëmtuarës”.
Sipas aktakuzës së ngritur më 21 dhjetor 2021, Femi Berisha në tetor të këtij viti, brenda qendrës tregtare “Interex”, pas një mosmarrëveshje me një konsumatore tjetër brenda këtij marketi, në lidhje me shportat për furnizimin me ushqim ku gjatë blerjes së gjërave ushqimore, të njëjtit nuk kishin pasur hapësirë të mjaftueshme për kalim.
Në aktin akuzues thuhet si pasojë e kësaj mosmarrëveshje, i akuzuari Berisha me dashje të shkaktimit të lëndimeve trupore e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarën, fillimisht ia ka shtyrë shportën metalike pastaj e ka goditur me të njëjtën në trup, që është mjet i përshtatshëm për lëndime të rënda trupore.
Tutje, thuhet se pasi i njëjti e ka larguar gruan e tij është kthyer dhe e ka goditur me grushte në kokë, me ç’rast tek e dëmtuara ka shkaktuar dëmtim të përkohshëm të shëndetit.
Me këtë, Femi Berisha akuzohej se ka kryer “Lëndim të lehtë trupor”, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo me të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet