Fjalë Kyçe

Derë më derë tërhiqen zvarrë, nis raprezalja e bashkëpunëtorëve në Afganistan

Derë më derë tërhiqen zvarrë, nis raprezalja e bashkëpunëtorëve në Afganistan

Talebanët pretendojnë se po e mbajnë fjalën e po mbështesin forcat e huaja në evakuimin e bashkëkombasve të tyre nga aeroporti i Kabulit.

“Ne po lehtësojmë kalimin e sigurt, jo vetëm të të huajve, por edhe të afganëve”, tha një zëdhënës i grupit për agjencinë e lajmeve Reuters, duke shtuar se “kanë marrë masa që të parandalohet çdo lloj përplasjeje verbale po fizike në aeroport”.

Por e vërteta mund të jetë ndryshe, thotë BBC, që citon raporte të shumta sipas të cilave talebanët nuk po i lejojnë njerëzve qasjen ne aeroport, edhe në rastet kur kanë leje udhëtimi. Një dokument konfidencial i OKB-së, që ka rënë në duart e gjigandit mediatik anglez, tregon se talebanët kanë përshkallëzuar kërkimin e personave që kanë bashkëpunuar me forcat e NATO-s e ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Po pres të vijnë e të më vrasin”, ishte rrëfimi tronditës i 27-vjeçares Zarifa Ghafari, kryebashkiakes më të re të Afganistanit një ditë më parë, dëshmi e qartë e tmerrit që po përjetojnë femrat në këtë vend, sidomos ato të angazhuara në politikë apo që kanë bashkëpunuar me organizatat ndërkombëtare. “Askush nuk më ndihmon dot as mua, e as familjen time. Po rri këtu vetëm me tim shoq”, u shpreh ajo.

Nga pjesë të ndryshme të vendit mbërrijnë njoftime se militantët po kërkojnë shtëpi më shtëpi personat që i konsiderojnë bashkëpunëtorë të amerikanëve dhe qeverisë së përmbysur, pavarësisht se botes i thonë qe nuk do të hakmerren me civilët. Në shënjestrën e tyre kanë qenë sidomos përkthyesit, shumë nga të cilët janë lutur prej javësh që të mos i braktisin në mëshirën e fatit.