Fjalë Kyçe

Deri në katër orë pritje në Merdare

Deri në katër orë pritje në Merdare

Kolona të gjata deri në dy kilometra e gjysmë janë krijuar në pikat kufitare të Kosovës.

Sipas njoftimit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar kolonat më të gjata janë shkaktuar në Merdare deri në 2000 metra ndërsa pritjet deri në katër orë e gjysmë në dalje ndërsa në hyrje deri në 40 minuta, shkruan Telegrafi.

Po ashtu kolona janë shkaktuar edhe në Jarinje deri në 500 metra në dalje ndërsa në hyrje deri në 40 metra. Kurse pritjet deri në dy orë në dalje ndërsa në hyrje deri në gjysmë ore.

Kurse te Dheu i Bardhë deri në 200 metra në hyrje dhe në dalje, kurse pritjet deri në gjysmë ore.

Sipas njoftimit të kësaj qendre kolona deri në 100 metra janë shkaktuar edhe në Muçibabë dhe Mutivodë, ndërsa pritjet janë deri në një orë.

Për të përcjellë në kohë reale gjendjen në pikë-kalimet kufitare qytetarët mund të informohen duke klikuar në web faqen e Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Ndryshe Ministri i Punëve të Brendshme,  Ekrem Mustafa, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit për Kufi në Policinë e Kosovës, Shaban Guda, sot ka vizituar Pikën e Kalimit Kufitar në Merdare.

Sipas njoftimit për media, ministri Mustafa ua ka hedhur fajin palës serbe për krijimin e kolonave në këtë pikë.

“Kolonat në këtë pikë-kalim kufitar vijnë si rezultat i palës serbe e cila nuk po i respekton marrëveshjet e Brukselit, ndërsa pala kosovare po punon me kapacitete të shtuara, probleme tek pala kosovare nuk ka, për një veturë pritja në pikë kontrollin e Kosovës zgjatë 3-5 minuta. Gjithashtu pala serbe ende nuk është transferuar në objektin e ri të Pikës së Përbashkët Kufitare në Merdare që është ndërtuar nga UNOPS-i”, tha Mustafa.