Fjalë Kyçe

Dëshmitari thotë se i akuzuari për krime lufte në Vushtrri e kishte goditur me armë në fytyrë

Dëshmitari thotë se i akuzuari për krime lufte në Vushtrri e kishte goditur me armë në fytyrë

Dëshmitari Shefqet Binaku, gjatë dhënies së dëshmisë së tij në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Sladan Trajkoviq, tha se i njëjti e kishte goditur me armë në anën e majtë të fytyrës, tek varrezat e qytetit të Vushtrrisë ku po qëndronin gjatë luftës në 1999-ës.

Sipas dëshmitarit Binaku, arsyeja pse i akuzuari Trajkoviq, e kishte goditur sipas tij ishte se ky i fundit kishte menduar se ai ia kishte djegur shtëpinë e dajallarëve të të akuzuarit.

“Në atë moment kur mu ka afru 2-3 metra afër, më tha se ti ia ke kallë shtëpiat dajve të mi”, tha dëshmitari Binaku.

Ai tha se pas goditjeve që kishte pësuar nga i akuzuari Trajkoviq e kishte humbur vetëdijen, duke shtuar se kur kishte filluar që të zgjohej sërish i akuzuari kishte tentuar ta vriste.

“…pak më ka fillu mem ardh vedija edhe pse isha i përgjakur për shkak se kisha shumë gjakderdhje dhe në atë moment jam ngrit pak si ulun… e vrejti Sladani, që jom ngirt pak por nuk po mundem me ec, me tha hale gjallë a edhe ma shajti nanën edhe e ngreh pushkën”, deklaroi dëshmitari Binaku.

Fillimisht, dëshmitari Binaku, tha se kur kishin filluar sulmet nga policia dhe ushtria serbe, i njëjti së bashku me familje e tij kishin qenë të detyruar të largoheshin nga shtëpia e tyre.

“Kanë fillu me sulmu nga Smrekonica për në Oshlan …une me familjen dhe me gru jena obligu me u largu prej atyhit se ka qenë gjendje e rëndë“, tha dëshmitari Binaku.

Po ashtu Binaku tha se gjatë largimit nga shtëpia me familjen e tij kishin shkuar tek familja e gruas së tij dhe aty kishin qëndruar rreth tre muaj, ku më pas edhe nga ai vend ishim detyruar të largoheshin.

Dëshmitari Binaku tha se të akuzuarin Trajkoviq e kishte njohur vetëm sa kishte qenë fëmijë, më pas nuk kishte pasur kontakte me të.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Trajkoviq avokati, Dejan Vasiq, propozoi që fotot të cilat i kishte dërguar në gjykatë t’i shikoi dëshmitari dhe të tregojë se cili është i akuzuari Trajkoviq.

Por, ky propozim e hedh poshtë nga trupi gjykues, me arsyetimin se fotografit e dorëzuara nga ana e mbrojtjes nuk kanë ndonjë burim.

“Është e vërtet që ju si mbrojtje keni sjellë një fotografi të cilën nuk e keni tregu as burimin që e keni marrë atë fotografi. Vetëm me dorë ke tregu, nuk i ke marrë në mënyrë zyrtare, nuk e lejohet paraqitjen e këtyre fotografive dëshmitarit”, tha kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari.

Më pas avokati Vasiq, kërkon që të shikohet pjesa e procesverbalit, ku sipas tij dëshmitari kishte thënë se nuk e ka parë se me çka është goditur, ashtu që trupi gjykues e lejon këtë identifikim.

Pas identifikimit të procesverbalit avokati Vasiq deklaron se e ka parë që dëshmitari nuk kishte thënë se “nuk e kishte parë se me çka e kishte goditur“. I njëjti kërkon falje trupit gjykuese dhe palëve në procedurë.

Ndërsa, i akuzuari Trajkoviq mohoi të ketë goditur dëshmitarin Binaku, duke thënë se ai nuk është personi që po pretendon dëshmitari.

“Unë dua të sqarojë se nuk e kam goditur këtë dëshmitarë, dhe nuk jam ai njeri që pretendon se e kam goditur“, tha i akuzuari Trajkoviq.

Në këtë seancë ishte propozuar edhe dëshmitari Agim Ujkani, por ky i fundit nuk ishte prezentë në seancë.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviq po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune, i njëjti individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë duke shkelur rëndë rregullat e të Drejtës Ndërkombëtare si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe.

Aktakuza thotë se i njëjti ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt, duke shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtarë gjatë kohës së luftës, konkretisht nenin 3 paragrafi 1 shkronja a.b.c të përbashkët me katër konventa (1a dhe b) të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht të vitit 1949 dhe protokollet shtesë.

Me këto veprime, Trajkoviq akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton betimiperdrejtesi.