Fjalë Kyçe

Detaje nga takimi Konjufca-Meta

Detaje nga takimi Konjufca-Meta

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca së bashku me këshilltarët, ka pritur sot në takim presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Gjatë takimit, ndër të tjera, u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, zhvillimet në rajon dhe procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Kreu i Kuvendit falënderoi presidentin Meta për kontributin e madh të shtetit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe përkrahjen e vazhdueshme në proceset e saj të shtendërtimit.

Me këtë rast, Konjufca përsëriti qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfshirjes së BE-së.

“Për Republikën e Kosovës janë të papranueshme iniciativat e Serbisë, sikur i ashtuquajturi “Ballkani i Hapur”, që synojnë të anashkalojnë Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. E ardhmja e shtetit tonë dhe e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Meta konfirmoi zotimin se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të Kosovës.

Konjufca dhe Meta ritheksuan nevojën e bashkëpunimit intensiv dhe bashkërendimit më të ngushtë të politikave zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë në të ardhmen. ​