Banka Qendrore e Kosovës ka hapur dyert e punësimeve për familjarë të kreut të shtetit, presidentit Hashim Thaçi.
Më 25 tetor të vitit 2018, Lulëzim Dragusha mori kontratë të rregullt punësimi nga Banka Qendrore e Kosovës, raporton KTV.
Dragusha, i cili është bashkëshorti i deputetes Evgjeni Thaçi, vajzës së vëllait të madh të presidentit, Ganiut, në këtë institucion është zyrtar i lartë për Koordinim me Rregullatorët e Institucioneve Financiare.
“Kohavisioni” e ka pyetur Bankën Qendrore për këtë punësim dhe nëse presidenti ka përdorur autoritetin e tij.
Por, ky institucion është arsyetuar se dy herë ka shpallur konkurs për këtë pozitë, dhe në të dy konkurset kushtet i ka plotësuar vetëm Dragusha, e i cili, sipas BQK-së, ka shkollim adekuat për këtë pozitë.
“Konkursi i parë i shpallur me datë 28 shtator 2018 është anuluar nga ana e BQK-së, për shkak se vetëm një kandidat i ka plotësuar kërkesat e përcaktuara. Në konkursin e dytë të rishpallur me datë 25 tetor 2018, në mesin e kandidatëve që kanë plotësuar kërkesat e konkursit, pas testimit me shkrim dhe intervistave me gojë, komisioni profesional ka vlerësuar se kandidati Lulëzim Dragusha ka qenë kandidati më i suksesshëm në procesin e rekrutimit. I punësuari, ka edukim të fushës relevante, si dhe përvojë të punës në nivel vendor dhe ndërkombëtar, duke filluar nga të qenët asistent profesor në Universitetin ‘North Eastern Illionis’ (North Istërn Illinoi), SHBA, në korporata të ndryshme në SHBA dhe institucione tjera vendore”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e BQK-së.
Pos Dragushës, edhe një familjare e presidentit është e punësuar në BQK.
Bëhet fjalë për Albana Thaçin nga fshati Burojë, një kushërirë e afërt e presidentit. Ajo në fundvitin e 2018-s u punësua aty si zyrtare e Pranimit.
Edhe për këtë Banka Qendrore thotë se u ndoqën procedurat e rregullta të punësimit.
Jo vetëm presidenti ka punësuar familjarë në BQK, edhe bashkëshortja e tij Lumnije Thaçi ka ushtruar ndikimin e saj për ta punësuar nipin, Alban Gërxhaliu, në këtë institucion financiar.
Vite më parë, ai u emërua zyrtar për Integrime Evropiane, në BQK.
Burime të KTV-së kanë bërë të ditur, se Zonja e Parë i kishte shkuar personalisht në zyrë, ish-guvernatorit të BQK-së, tash ministër i Financave, Bedri Hamzës, për takim.
“Kohavisioni” ka provuar të vë kontakte me ministrin e Financave, Hamza, por ky i fundit nuk është përgjigjur në telefon, pasi ndodhet jashtë shtetit.
Ndërkaq, Banka Qendrore ka bërë të ditur se Gërxhaliu u punësua në fundin e vitit 2015. Edhe në rastin e nipit të Zonjës së Parë , BQK-ja thotë se ai ishte më i miri.
“Alban Gërxhaliu ka plotësuar kërkesat e konkursit të datës 22.12.2015 dhe i është nënshtruar procesit të rekrutimit, pra testit me shkrim dhe intervistës para komisionit për vlerësim. Komisioni për vlerësim, pas përfundimit të procesit për rekrutim, ka vlerësuar se kandidati Alban Gërxhaliu, ka arritur numrin më të lartë të pikëve nga testi me shkrim dhe intervista, prandaj edhe është përzgjedhur si kandidati më i suksesshëm në procesin e rekrutimit”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Në fund, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se në të tri proceset e rekrutimit të sipërpërmendura, BQK-ja nuk ka pranuar asnjë ankesë nga kandidatët që kanë qenë të përfshirë në proceset e konkurseve për të tri pozitat në fjalë.
Banka Qendrore është përdorur edhe nga parti të tjera në pushtet e opozitë për poste të rëndësishme, për të cilat KTV-ja do të raportojë gjatë javës.