Fjalë Kyçe

Dhoma e Tregtisë e përshëndet vendimin për hekurudhën, kërkon të jetë me dy linja

Dhoma e Tregtisë e përshëndet vendimin për hekurudhën, kërkon të jetë me dy linja

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë e ka përshëndetur vendimin e marrë në takimin ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, përmes së cilit janë koordinuar për ndërtimin e projektit tregtar në Porto-Romano, integrimi me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe Porti i Thatë në Kosovë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë konsideron që ky vendim do të ndikojë pozitivisht në rritje të stabilitetit, sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik në vend duke rritur shpejtësinë e qarkullimit dhe duke ulur kostot e transportit dhe lëvizjes së qytetarëve.

Sipas kësaj dhome, me fillimin e punës së hekurudhës, Kosova do të bëhet qendër e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve në Ballkan.

“Megjithatë, konsiderojmë që hekurudha duhet të jetë me dy linja, që njëkohësisht mund të kemi edhe vajtje edhe ardhje, sepse duke qenë dy drejtimëshe ofron shumë më shumë mundësi”. ka shkruar Dhoma e Tregtise dhe Industrise.

Ajo konsideron se ndërtimi i hekurudhës me një linjë as për së afërmi nuk i plotëson kërkesat e bizneseve e të qytetarëve për të rritur shpejtësinë e dërgimit të mallrave dhe qarkullimit të qytetarëve.