Arabia Saudite ka vendosur t’i lejojë 60.000 besimtarë të vaksinuar kundër koronavirusit kryerjen e ritualit të Haxhit këtë vit. Por autoritetet theksuan se kjo dritë jeshile vlen vetë, për vendasit, pasi të huajt nuk do të lejohen të marrin pjesë.
Zyrtarët sqaruan se ceremonitë do të jenë të hapura “për shtetasit dhe banorët e mbretërisë, me një numër të kufizuar në 60.000 pelegrinë”. Ata theksuan se personat e moshës 18 deri 65 vjeç “që dëshirojnë të kryejnë Haxhin nuk duhet të kenë sëmundje kronike dhe të jenë të vaksinuar”.
Kjo ceremoni tërheq çdo vit më shumë se 2 milionë vizitorë në qytetet e shenjta myslimane të Mekës dhe Medinës. Haxhi këtë vit është planifikuar të mbahet në datat 17 deri në 22 korrik. Në 2020-tën, ai u zhvillua me vetëm 1000 besimtarë.
Për të dytin vit me radhë shumë vende tashmë kanë anuluar pelegrinazhet e tyre të organizuara nga shteti për në Mekë. Rituali pesëditor është një prej pesë shtyllave të Islamit dhe detyrë që duhet ta kryejë një herë në jetë secili mysliman që ka aftësi fizike dhe mund ta përballojë udhëtimin.