Emiratet e Bashkuara Arabe siguruan sot se marrëveshja për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin është një hap i guximshëm që do të sjellë zgjidhjen me dy shtete për popullin palestinez. “Shumica e vendeve do ta shohin këtë si një hap të guximshëm drejt arritjes së një zgjidhje me dy shtete, duke i dhënë kohë negociatave”, tha ministri i Jashtëm, Anwar Gargash, në një konferencë për shtyp, raporton ATSh.
Ai shtoi se të dy vendet do të hapnin ambasadat reciproke brenda një kohe të shkurtër. Ndryshe, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën, me ndërmjetësimin e presidentit Donald Trump, një marrëveshje historike paqeje që do të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve të Lindjes së Mesme.
Normalizimi i marrëdhënieve midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, i njoftuar sot në mënyrë të papritur nga presidenti amerikan, Donald Trump, është një ditë historike, vlerësoi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. “Yom histori” (ditë historike)”, shkroi ai në hebraisht në Twitter.
Kryeministri izraelit iu bashkua komentit të presidentit amerikan Donald Trump në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve midis Emirateve dhe Izraelit, që ishte gjithashtu pjesë e projektit të tij të paqes për Lindjen e Mesme.
Ndryshe, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe arritën, me ndërmjetësimin e presidentit Donald Trump, një marrëveshje historike paqeje që do të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve të Lindjes së Mesme.
Sipas marrëveshjes, Izraeli pranon të pezullojë zbatimin e sovranitetit në zonat e Bregut Perëndimor për të cilat kishte diskutuar aneksimin, thanë zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Marrëveshja e paqes është produkt i diskutimeve të gjata midis Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat u përshpejtuan kohët e fundit, thanë zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë.
Marrëveshja u arrit përmes një telefonate të enjten mes Presidentit Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe Sheikut Mohamed Bin Zayed, princi i kurorës së Abu Dhabit. Zyrtarët thanë se marrëveshja është e para e këtij lloji që kur Izraeli dhe Jordania nënshkruan një traktat paqeje në vitin 1994.
Ajo gjithashtu shënon për Presidentin Trump një sukses në politikën e jashtme, ndërkohë që ai është në garë për t’u rizgjedhur më 3 nëntor.