Dhjetëra djepa qëndrojnë të vendosur në një rrugicë të vogël që shpie tek Tregu i Gjelbër në Prishtinë. Këtu është adresa e vetme në kryeqytet, ku të interesuarit mund të pajisen me “shtratin” tradicional të bebeve.
Në dy lokalet ku shiten ata janë të ekspozuara modelet nga shqiponja e deri te duatë në arabishte. Shitësit tregojnë se shqiponjat janë kërkuar pas luftës e viteve të fundit janë shtuar kërkesat për arabishten, shkruan sot Koha Ditore.
Këto ndryshime traditash, sipas tregtarëve, janë bërë me kërkesë të qytetarëve. Shitësit thonë se në ditët e sotme po preferohen djepat me ndonjë lutje fetare, që mendohet se mund t’i mbrojë fëmijët nga e keqja.
Sociologët vlerësojnë se grupe të ndryshme shoqërore dhe ideologjike po instalojnë, përhapin dhe promovojnë vlera e simbole të ndryshme identitare, mesazhe që lidhen me projektimin e ardhmërisë individuale dhe kolektive.
Rifat Gërbeshi, nga Marevci i Prishtinës, ka 40 vjet që shet djepa në Prishtinë. Bashkë me djalin e tij punojnë në punëtorinë e tyre në Hajvali dhe më pas i nxjerrin në treg. 74-vjeçari tregon se në vitet e fundit ka rënë interesimi për blerjen e këtij shtrati për fëmijë.