Për dy ditë që është marrë në pyetje nga hetues të Prokurorisë së Specializuar, ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, përveç për veprimtarinë e saj, është pyetur edhe për raste të tjera. Dobruna, që ende thotë se nuk e ka të qartë nëse është ftuar në cilësi të dëshmitarit apo të të dyshuarit, ka thënë të jetë pyetur për kontaktet eventuale me Hashim Thaçin e Xhavit Halitin, raporton KTV.
Rreth gjashtë orë të enjten, e edhe më shumë se tetë të tjera të premten e javës së kaluar, Sokol Dobruna i kaloi duke u marrë në pyetje nga hetues të Prokurorisë së Specializuar.
Interesi i tyre i parë, kanë qenë rastet që janë trajtuar nga Gjykata Ushtarake e UÇK-së, që Dobruna e kishte udhëhequr, por e cila nuk kishte pasur shumë punë pasi që kishte funksionuar për afër 4 muaj.
Dobruna tha se ende nuk e ka të sigurt nëse është i ftuar në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit, derisa ka konfirmuar se ka pasur pyetje edhe për rolin e tani presidentit Hashim Thaçi, e të Xhavit Halitit në luftën e UÇK-së.
Dobruna, ishte vetëm i dyti person që u intervistua nga hetuesit e Prokurorisë së Specializuar në hapësirat e EULEX-it në Prishtinë, pas Safet Sylës.
Emrat e tjerë të bërë publik deri tani, ftesat i kanë pranuar për t’u paraqitur rreth mesit të janarit në selinë e Dhomave dhe Prokurorisë së Specializuar në Hagë.