Fjalë Kyçe

Doni që lulja e Krishtlindjes të rezistojë edhe pas festave, ja 4 sekrete që duhet të dini për të

Doni që lulja e Krishtlindjes të rezistojë edhe pas festave, ja 4 sekrete që duhet të dini për të

Nëse ju kanë dhuruar një të tillë dhe druheni se mund t’ju vyshket brenda javës, bëni mirë të lexoni këshillat e mëposhtme.

Kush më mirë se ajo lajmëron Krishtlindjet? E njohur si Poinsettias, lulja simbol e Krishtlindjeve është pjesë e familjes bimore e njohur si Euphorbia pulcherrima.

Historia e saj zë fill rreth 200 vjet më parë kur ambasadori i parë amerikan në Meksikë, Joel Poinsett e solli këtë lule me vete nga Amerika e Jugut në SHBA gjatë periudhës së Krishtlindjes dhe që prej asaj kohe, Euphorbia u konsiderua edhe si lulja simbol i Krishtlindjes, transmeton “Living.al”.

Megjithatë nuk duhet harruar origjina e saj tropikale. Për këtë arsye duhet ruajtur larg të ftohtit. Temperaturat e ulta mund të shkaktojnë zverdhje të gjetheve dhe rënien e tyre deri në tharjen e plotë të bimës. Nëse ju kanë dhuruar një të tillë dhe druheni se mund t’ju vyshket brenda javës, bëni mirë të lexoni këshillat e mëposhtme:

1.Mos e ekspozoni lulen në temperatura të ftohta, temperatura ideale e dhomës nuk duhet t’i kalojë të 20-të gradët Celcius.

2.Ujitja është një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në jetën e lules së Krishtlindjes, prandaj i duhet kushtuar rëndësia e duhur. Specialistët rekomandojnë që ta ujisni sa herë që vini re se dheu është i thatë dhe ndryshon ngjyrë.

3.Një tregues që duhet mbajtur mend është fakti i zmadhimit të gjetheve: nëse ato rriten mbi 6-8 cm, atëherë bima është në gjendje të mirë dhe vazoja ka ushqim të mjaftueshëm. Në të kundërt duhet të ndërhyni me ushqim të lëngshëm të pasur me azot. Duke qenë një bimë fotoperiodike, pra, që çel me pakësimin e ndriçimit ditor, në radhë të parë, bima duhet të jetë e shëndetshme, me 4-5 degë e shumë gjethe.

4.Nëse keni ndërmend ta zhvendosni në ndonjë vazo tjetër ose ta mbillni, duhet ta prisni deri në një prej nyjeve që formohen në kërcell. Futeni për 60 sekonda në ujë të vakët, më pas në ujë të ftohtë dhe mbilleni kur të keni mundësi.