Fjalë Kyçe

Dorëhiqet ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën, Wess Mitchell

Dorëhiqet ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën, Wess Mitchell

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Wess Mitchell dha dorëheqje nga kjo detyrë, duke goditur kështu përpjekjet e administratës Trump për të ruajtur unitetin transatlantik.

Departamenti i Shtetit njoftoi se Wess Mitchell do të largohet nga posti i tij në mes të shkurtit.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Robert Palladino tha se Mitchell ka qenë një “udhëheqës i vlefshëm dhe efektiv” dhe një “mik i mirë për aleatët dhe partnerët tanë në Europë”.

Dorëheqja e diplomatit më të lartë të ShBA-së për Europën vjen në një kohë të mosmarrëveshjeve mes Uashingtonit dhe kryeqyteteve europiane lidhur me tregtinë, shpenzimet e mbrojtjes dhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e Iranit.

Mitchell mori detyrën në tetor 2017, pasi 12 vjet kishte punuar në një Institut të fokusuar në çështjet e Europës Qendrore. Ai u emërua nga ish-sekretari e Shtetit, Rex Tillerson.