Kryetari i të ashtuquajturit Komiteti Parlamentit i Serbisë për Kosovën Milovan Drecun vlerësoi sot se Prishtina kërkon lëvizje të njëanshme për të përmbysur vullnetin e popullit serb që u shpreh në zgjedhjet e fundit lokale.
Në një intervistë për RTS, ai tha se “që në vend se Prishtina ta shfuqizojë taksën dhe të krijojë kushte për vazhdimin e bisedimeve me Beogradin dhe në vend të respektimit të vullnetit zgjedhor të popullit serb në të kaluarën, ajo me lëvizjet e njëanshme po vazhdon ta destabilizojë situatën”.
Sipas tij, Kosova rrezikon sigurinë e popullit serb, “veçanërisht në veri të Kosovës dhe vazhdon të rrisë tensionet”, transmeton Klan Kosova.
Ky reagim i Drecun erdhi dy ditë pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore : Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan pas dorëheqjes së kryetarëve të këtyre komunave në nëntorin e vitit të shkuar.
Për për t’u konsultuar për zgjedhjet në veri, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës do të takohen në Beograd me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.